Mësoni sa fitojnë pilotët e Moto GP, nga Marquez te Rossi
Kjo fundjavë shënon dhe startin e Botërorit të Moto GP, ku dy garat e para do të zhvillohen në Katar. Ka kuriozitet dhe pritshmëri rikthimi i ish kampionit të Botës, Marc Marquez në pistë pas një kalvari dëmtimesh por që gjithsesi në ndalesën e parë të botërorit spanjolli nuk do të jetë.
Joan Mir, kampioni në fuqi shihet sërish si favorit ndërsa Valentino Rossi me Yamaha Petronas shikohet si surprizë e mundshme por surpriza ka dhe në përfitimet e pilotëve të Botërorit, që në total janë 22.
Vihet re një diferencë jashtëzakonisht e madhe mes vendit të parë dhe të tjerëve, mes Marc Marquez dhe të tjerëve, kështu mund ta quajmë pas të dhënave të publikuar. Piloti spanjoll i Honda-s, përfiton 25 mln euro neto vetëm pagë nga skuadra japoneze ndërsa I dyti, Valentino Rossi përfiton 5 mln euro në vit neto. I treti është piloti I Yamahas zyrtare, Maverick Vinales me 4.5 mln euro në sezon. Kjo është treshja më e paguar ndërsa të tjerët më poshtë janë shifra tepër racionale.
Mjafton për ta kuptuar që kampioni i botës në fuqi, Joan Mir me Suzuki ka një pagë prej vetëm 1.1 mln Euro në vit, Alex Rins po me Suzuki 1 mln euro dhe Franco Morbidelli me Yamaha Petronas vetëm 600 mijë euro pagë në vit, pothuajse 4% e pagës që merr Marc Marquez.