Messi: Botërori 2026? Do gënjeja po të thoja se nuk po e mendoj!

Në një intervistë për kanalin YouTube Simplemente Fútbol, ylli argjentinas Lionel Messi ka reflektuar mbi karrierën e tij të jashtëzakonshme dhe ka ndarë mendimet për të ardhmen.
“Është diçka shumë e çmuar të mundesh të thuash se ke arritur gjithçka në futboll. Siç them gjithmonë, kam pasur fatin të fitoj gjithçka, si në nivel klubesh me Barcelonën, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar me kombëtaren. Është një arritje që besoj se do ta vlerësoj edhe më shumë me kalimin e kohës. Jam shumë mirënjohës për gjithçka që më është dhënë. Po, Zoti më ka dhënë gjithçka”, u shpreh Messi me emocion.
Pas fitimit të Kupës së Botës në Katar, ëndrra e tij ishte një rikthim te Barcelona, por kjo dëshirë nuk u realizua.
“Pas Kupës së Botës, nuk më shkonte mendja të luaja për ndonjë skuadër tjetër europiane përveç Barcelonës. Qëllimi im ishte të kthehesha në shtëpi, aty ku gjithçka nisi. Por për fat të keq, nuk ishte e mundur”, rrëfeu ai.
Për këtë arsye, Messi vendosi të mos e vazhdonte aventurën me Paris Saint-Germain dhe të fillonte një etapë të re në SHBA, duke u bashkuar me Inter Miami.
“Vendimi për të ardhur këtu ishte plotësisht një vendim familjar. Erdhëm në Shtetet e Bashkuara, në Miami, për të përjetuar këtë eksperiencë të re”, tha ai.
Messi ka kontratë me Inter Miami deri në fund të vitit 2025 dhe ka lënë të kuptohet se pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026 është ende në planet e tij: “Ky vit do të jetë vendimtar për të ardhmen time lidhur me Botërorin. Do të gënjeja po të thosha se nuk po e mendoj”.
