Milan sheh larg, merkato dhe me mision shkëputjen, një javë vendimtare për “Djallin”
Vendi i parë dhe tani plus tre pikë larg ndjekësve më të afërt. Milan vazhdon sezonin e tij të shkëlqyer dhe me titullin kampion në fillim të pamenduar, tashmë një realitet, klubi kuqezi kërkon t’i japë trajnerit Stefano Pioli “armët” e duhura për të siguruar këtë objektiv. Kjo që sapo ka nisur është një javë vendimtare për “Djallin”.
Si fillim në merkato, ku pritet të finalizohen dy goditjet e para. Mohamed Simakan, i cili ndiqet prej kohësh nga Milan është vetëm një hap larg tranferimit në Serie A. Klubi kuqezi dhe Strasburg janë në detajet e fundit të marrëveshjes, pasi kryesuesit e kampionatit italian pranojnë të paguajnë 14 milion euro plus 3 milion të tjera bonus. Pioli do të ketë shumë shpejt në dispozicion edhe mesfushorin e kërkuar me ngulm prej tij Milan dhe Torino janë në fundin e tratativave për Soualiho Meitè, që pritet të vishet kuqezi në bazë të një formule huazimi për 1 milion euro dhe të drejtë blerje për 10 milion euro në fund të sezonit.
Edhe në aspektin sportive, kjo javë është shumë e rëndësishme për Milanin, që pret të thellojë shkëputjen duke përfituar nga përballet direkte të rivalëve. Kuqezinjtë luajnë të mërkurën në Kupë, ndërsa të hënën e ardhshme në kampionat. Më parë, gjatë fundjavës janë në program sfidat e mëdha Inter-Juventus dhe Lacio-Roma.