Milani fiton në “frymën e fundit” ndaj Cremoneses, shkon -10 pikë nga Interi
Milani ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 2-0 Cremonesen, në ndeshjen e drekës të javës së 27-të të Serie A. Kuqezinjtë e zgjidhën sfidën vetëm në minutat e fundit, pas një përballjeje të luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat.
Vendasit tentuan të rrezikonin kryesisht me Bonazzolin dhe Vardyn, por me kalimin e minutave ishte Milani që mori kontrollin e lojës. Portieri Audero u bë protagonist me dy pritje vendimtare, duke ndalur fillimisht Pulisic dhe më pas Fofanën. Pak para pushimit, Leao shpërdoroi një mundësi të artë i vetëm përballë portierit, ndërsa Rabiot, me kokë pas një goditjeje këndi, e dërgoi topin ngjitur me traversën.
Edhe në pjesën e dytë portugezi pati një tjetër rast të pastër, por u ndal nga dalja vendimtare e Auderos. Trajneri Allegri provoi të ndryshojë ritmin e ndeshjes duke hedhur në fushë Füllkrug, por sulmuesi pati vetëm një rast me kokë që përfundoi mbi traversë.
Kur dukej se sfida do të mbyllej pa gola, Milani goditi në minutat shtesë. Në minutën e 89-të, pas një krosimi të Modric dhe devijimit të De Winter, Pavloviç e shtyu topin në rrjetë duke zhbllokuar rezultatin. Në aksionin e fundit të takimit, Leao finalizoi një kundërsulm të shpejtë dhe në minutën e 94-t vulosi shifrat 2-0.
Me këtë sukses, Milani afrohet në -10 pikë nga Interi një javë nga Derbi i Madoninës. Cremonese mbetet në kuotën e 24 pikëve, po aq sa Lecce, që mban vendin e tretë nga fundi i renditjes.

KOHA JONË SONDAZH

