Milani i beson një tjetër legjende, Franco Baresi bëhet zëvendës-president i klubit
Milani rihap dyert për një tjetër “flamur” historik të klubit. Bëhet fjalë për Franco Baresin, i cili u emërua zëvendëspresident nderi gjatë mbledhjes së aksionarëve.
Njoftimi u bë nga presidenti Paolo Scaroni: “Jam i lumtur që njoftoj emërimin e Franco Baresit tonë në një rol të ri të rëndësishëm brenda klubit. Jam i kënaqur ta njoftoj sot, më 28 tetor, që përkon me përvjetorin e ndeshjes së tij të fundit me fanellën kuqezi, në vitin 1997.
Ky është demonstrimi i lidhjes së Milanit me historinë dhe rrënjët e tij, por është gjithashtu dëshira e një klubi që synon të krijojë kushtet për një të ardhme të madhe, duke vlerësuar traditën e tij legjendare, që Franco e përfaqëson aq mirë “.
Emërimi i Baresit zëvendëspresident nderi i Milanit erdhi me rastin e 23-vjetorit të ndeshjes së lamtumirës së ish-mbrojtësit legjendar të “Djallit”, i cili mbante rolin e ambasadorit të Milanin në botë.