Milani i Piolit thyen rekordin e Ancelottit, synon titullin me ecurinë fantastike

Milan është skuadra e momentit në Seria A. Kuqezinjtë kanë marrë rezultate fantastike këtë fillim sezoni, duke hedhur menjëherë kandidaturën për të fituar titullin në elitën e futbollit italian. Pas 9 javësh, djemtë e drejtuar nga Stefano Pioli numërojnë 5 pikë më shumë se ndjekësit Inter dhe Sassuolo, aq sa në Milanello kanë nisur të ëndërrojnë vërtetë fitimin e titullit që mungon nga sezoni 2010-2011.

Një ritëm që i shtynë akoma dhe më shumë drejt thyerjes së rekordeve, pasi skuadra e këtij sezoni ka grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip që kur fitorja llogaritet 3 pikë. Me 23 pikët në renditje, kuqezinjtë përmirësojnë rekordin e vendosur nga ekipi i Ancelottit me 22 në sezonin e largët 2005-2006.

Ibrahimovic me shokë nuk kanë humbur në kampionat që nga 8 marsi, kanë barazuar gjithashtu një rekord tjetër, atë të 1972-73 me Cesare Maldini në stol, duke shënuar për 29 ndeshje radhazi. Përveç kësaj, Milan shënon të paktën 2 gola për ndeshje, ndërsa nuk tregon aspak varësi nga prezenca e Ibras në fushë. Në gjashtë ndeshjet e Serie A pa yllin suedez, Milani regjistroi 5 fitore dhe një barazim.

Ibrahimovic u dëmtua në “San Paolo” të Napolit pas një sprinti në krah kur ktheu një top në zonë. Më 23 nëntor klubi njoftoi se 10 ditë më vonë do të kishte një kontroll të ri. Në mes të kësaj jave, pra, Ibrahimovic duhet t’u nënshtrohet testeve të mëtejshme për të kontrolluar gjendjen e tij.

Gazeta “La Repubblica” shpjegon se suedezi ka një dëshirë të madhe të kthehet në fushë dhe shpreson të jetë në gjendje ta bëjë këtë që këtë të diel në mbrëmje për duelin Sampdoria-Milan. Vetëm pas një kontrolli të ri do të jetë e mundur të kuptohet më mirë se kur Ibra do të jetë në gjendje të kthehet. Gjithsesi kuqezinjtë kanë demonstruar se mnd të fitojnë edhe pa të në fushën e lojës.

SHKARKO APP