Mitaj drejt “divorcit” me Al-Ittihad, ka ofertë nga një ekip i Premier League
Situata e Mario Mitajt te Al-Ittihad po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, me sinjale të qarta se anësori kuqezi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Sergio Conceição. Mungesa e tij në tri ndeshje radhazi ka shtuar zërat për një ndarje të mundshme mes palëve.
Në rastin e parë, Mitaj ishte i detyruar të qëndronte jashtë për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve, por në dy takimet pasuese ai ishte i gatshëm për lojë dhe megjithatë nuk u grumbullua fare nga tekniku portugez. Një situatë që i ngjan asaj të përjetuar më herët, kur edhe nën drejtimin e Blanc, futbollisti shqiptar nuk konsiderohej pjesë e formacionit.
Pikërisht mungesa e vazhdueshme e minutave ka shtyrë Mitajn të mendojë seriozisht largimin, pasi objektivi i tij mbetet aktivizimi i rregullt. Një dëshirë që lojtari e kishte shprehur edhe gjatë verës së vitit 2025, por që nuk u konkretizua atëherë.
Ndërkohë, e ardhmja e 22-vjeçarit pritet të mos mbetet pa alternativa. Sipas mediave, interesimi për të nuk mungon, me disa klube evropiane që po ndjekin situatën, mes tyre edhe Sunderland nga Premier League, i cili raportohet se ka kërkuar informacion për anësorin kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

