Moto Gp nis me triumfin e Marquez, Formula 1 nën diktatin e Mercedes

Marc Marquez , piloti i Hondës u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit duke triumfuar në Çmimin e Madh të Teksasit. Kampioni i botës në fuqi nuk kreu një nisje perfekte pas krahëve të Doviziosos, por dihet, startet nuk janë specialiteti i katalanasit. Më pas në vijimësinë e garës 22 vjeçari rekuperoi dhe menjëherë pasi parakaloi italianin e Ducatit nuk e lëshoi më kreun duke krijuar distancën me të gjithë pilotët e tjerë. Fitorja e 46-të në karrierë për talentin spanjoll, i cili po konfirmohet garë pas gare, sezon pas sezoni, si një ndër elementët më të rëndësishëm që ky sport ka patur ndonjëherë.

Beteja më interesante u zhvillua për vendin e dytë mes Andrea Doviziosos dhe Valentino Rossit, dy pilotët që aktualisht kryesojnë renditjen, luftuan për çdo cm dhe në fund u shpërblye vendosmëria e pilotit të Dukatit, i cili arrit të mbrohej nga sulmet 7 herë kampionit të botës në Moto Gp, megjithëse Valentino u kushtëzua disi edhe nga degradimi gomës së pasme, e cila nuk i dha mundësinë të fitonte duelin me maksimumin e mundshëm. Piloti tjetër i Yamahës Jorge Lorenzo e mbylli garën në vendin e 4-ët kur edhe për shkak të një bronikti nuk ishte në 100 % të formës së tij, ndërsa në pozicionin numër 5 e kaloi finishin Andrea Ianone, italiani u shfaq si gjithnjë mjaft kërkues por jo me vendosmërinë që tregoi dy javë më parë në Portugali.

Marquez: I lumtur për fitoren, sepse nuk ishte gara ime më e mirë

Swiss Digital Desktop Reklama

Duket se këtë sezon sfida për trofeun final, do të jetë shumë më e luftuar, me një Ducati të rikthyer në nivelet e dikurshme dhe me një Yamaha që këtë here nuk dëshiron të lëshojë ndaj rivalëve japonez të Hondës, sigurisht çdo duel do të kryhet me shpejtësi maksimale. “Jam i lumtur për këtë fitore, për më tepër që vjen pas garës së parë që nuk ishte shumë pozitive për mua. Gjatë gjithë fundjavës jam ndjerë mirë dhe i përqendruar në garë, por për shkak të reshjeve të shiut situata u komplikua. Besoj se këtë vit do të kemi një kampionat interesant sepse Valentino dhe Andresa janë vërtet të qëndrueshëm. Kam rikuperuar disa pikë në garën e dytë, të cilat na japin më shumë besim për ndalesën e radhës”. Spanjolli konfirmoi se motori i tij çaloi nga një problem teknik në provat zyrtare, por refuzoi të japë më shumë detaje. Edhe në garën tjetër, sigurisht që Marquez dëshiron fitoren, teksa pranoi se nuk do ta ketë aspak të lehtë. “Vitin e kaluar ishte një garë e vështirë për ne dhe besoj se e tillë do të jetë përsëri. Që në provat e para të lira do të përpiqemi të jemi sa më të fortë për të parë se ku ndodhemi në raport me rivalët”.

Swiss Digital Mobile Reklama

 

Formula 1

 Mercedez triumf nw Kinë, probleme mes pilotëve

Skuderia e Mercedes triumfoi bindshëm në Çmimin e Madh të Kinës, por që në garën e tretë, paqja  mes pilotwve Hamilton e Rosberg duket se ka përfunduar. Në shtëpinë e gjermanëve festa që merr një tjetër kuptim pas asaj fitoreje të Ferrarit në Malajzi është trazuar nga tensioni mes dyshes së pilotëve. Pas garës, Rosberg ka akuzuar Hamilton se me ritmin e tij të ngadaltë i ka komplikuar garën në Shangai.

“Dukë qëndruar gjithë kohën prapa Hamilton isha në rrezik, sidomos në momentin e “pit stopit” kur Vettel mund të më kishte parakaluar. Lewis vazhdonte garën i qetë duke ruajtur gomat dhe çuditërisht deklaroi se mendonte për veten. Kjo i shpjegon të gjitha. Ajo që më mërzit është se gara për mua ishte në çdo moment në rrezik”.  Komenteve të gjermanit, piloti britanik i është përgjigjur me tone që mund ta përkeqësojnë edhe më shumë raportin mes tyre. Hamilton tha se detyra e tij në pistë nuk është të kujdeset për Rosberg, por ta çojë makinën drejt finisht para të tjerëve. Ashtu siç u pa edhe nga komunikimi në radio me skuadrën, kampioni në fuqi pohoi se po garonte me ritme më të ulëta për të ruajtur gomat nga konsumimi. Në fund për t’i vendosur kapak diskutimit, Hamilton u shpreh se Rosberg po të donte mund ta kishte parakaluar, por ai ishte 4-5 sekonda prapa.

Ferrari, ka motive për të shtuar optimizmin e tifozëve  

Ferrari u largua nga Kina me tre motive të qarta që mund t’i bëjnë tifozët e skuadrës së kuqe të buzëqeshin. Më i rëndësishëm është fakti se skuderia e kuqe nga Maranello konfirmohet si makina e vetme anti-Mercedes këtë sezon, një detaj ky që as nuk mund të shkonte në mendjen e më optimistit një muaj më parë. SF15-T po rezulton e qëndrueshme dhe e përshtatshme me çdo tip gomash dhe piste. Të dhënat e para flasin qartë, ky Ferrari është në gjendje që të kërkojë podiumin gjatë çdo ndalese. Fundjavën e ardhshme makinat do të zbresin në pistën e Sakhir, pikërisht në vendin ku në vitin 2014 Ferrari dhuroi një nga paraqitjet më të shëmtuara të viteve të fundit me dyshen Alonso dhe Raikkonen që mbyllën dhjetëshen e parë. Pak ditë pas asaj gare Domenicali dha dorëheqjen, por tashmë 12 muaj më vonë shkretëtira mund të jetë një pistë e përshtatshme për Ferrarin e Vettel që në tre garat e para nuk ka zbritur asnjëherë nga podiumi. “Lajmi i vërtetë i këtij viti është se kemi dy pilotë të fortë”, u shpreh drejtori i skuadrës Maurizio Arrivabene. Nga njëra anë, Vettel nuk ka nevojë për komente pasi puna e gjermanit është e dukshme, ndërsa Kimi ka arritur të dalë nga tuneli ku u fut një vit më parë. Por surprizat gjatë sezonit mund të jenë edhe më të ëmbla pasi në Maranbello po punohet paralelisht për të përmirësuar detajet e njëvendëshes. Sipas informacioneve, ndryshimet do të kryhen në garën e 10 Majit në Spanjë, ndërsa presidenti Sergio Marchionne ka premtuar 100 milionë Euro shtesë për të rritur efikasitetin e inxhinierëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?