Mourinho: Chivu është një nga fëmijët e mi. I uroj të fitojë gjithçka, por jo tripletën!

I ftuar në mikrofonat e Sky Sport nga Silverstone, aty ku këtë fundjavë zhvillohet Çmimi i Madh i Britanisë në Formula 1, trajneri i Fenerbahçes dhe ish-tekniku i Interit e Romës, José Mourinho, foli për rikthimin në punë, Formula 1, humbjen tragjike të Diogo Jotës dhe ndjesitë e tij për Italinë.
“Mbaroj pushimet nesër dhe kthehem në Stamboll, fillon sezoni”, u shpreh portugezi, që theksoi se do t’i mungojë gara, për zhgënjimin e mikut të tij Stefano Domenicali, drejtues i F1.
Për ngjashmëritë mes futbollit dhe Formula 1, Mourinho tha: “Po përpiqem ta kuptoj këtë botë, flas shpesh me miqtë e mi që janë pjesë e saj. Ka shumë ngjashmëri, veçanërisht për sa i përket presionit.”
Një kujtim i dhimbshëm për Diogo Jotën, i ndarë tragjikisht nga jeta pak ditë më parë: “Kur dikush ikën, është e lehtë të thuash se ishte i mirë. Por ai ishte i mirë. Kishim të njëjtin agjent dhe të gjithë e donin si njeri. Nuk kërkonte vëmendje, edhe pse kishte arritur suksese. Tani tre fëmijë do të rriten pa babain e tyre, gruaja e tij e donte që nga fëmijëria dhe prindërit kanë humbur të dy djemtë. Nuk e kuptoj, ndoshta një ditë do ta kuptoj.”
Për Ferrari-n, Mourinho bëri një krahasim domethënës: “Ferrari është si Real Madridi i Formula 1. Kur hyn në pistë me ngjyrën e kuqe, është sikur ke fituar që më parë – por pastaj janë dy orë gare. Të jesh pjesë e Ferrari-t është ëndërr, por edhe përgjegjësi maksimale.”
Për mungesën e tij në Itali, Mou tha me ironi: “Ndoshta më mungon vetëm sepse askush nuk ka arritur të fitojë Champions-in me një skuadër italiane. Fatkeqësisht, është e vërtetë.”
Ndaj Chivu-t, ish-mbrojtësit të tij tek Interi, ai dha një këshillë të veçantë: “Është një nga ‘fëmijët’ e mi. Ka një përvojë të madhe si lojtar, por tani është tjetër gjë. Uroj të bëjë një kalim të suksesshëm si trajner. Nuk i uroj Tripletën – atë dua ta kem vetëm unë me Interin – por le të fitojë Champions-in, Scudetton, çfarë të dojë, por jo të tria bashkë.”