Mourinho pajtohet me Wenger: Topi i Artë, i panevojshëm!
Trajneri portugez i Chelsea Jose Mourinho kurrë nuk ka pasur simpati për trajnerin e Arsenalit, Arsen Wenger, megjithatë kur është rasti për ta mbështetur kolegun e tij, luzitani nuk ngurron ta bëjë këtë. Ai bashkohet me mendimin e trajnerit të “Topçinjve” se çmimet individuale bëjnë që futbollistët e mëdhenj të mos fokusohen shumë në objektivat e skuadrës. Sipas Mourinhos, çmimi i “Topi i Artë” po bën që futbolli ta humbasë fokusin te forca e grupi. Prej 7 vitesh, këtë çmim prestigjioz e kanë fituar vetëm dy futbollistë, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, madje në ndonjë rast kanë triumfuar edhe kur nuk kanë fituar trofe me skuadrat e tyre. – “Mendoj se Wenger ka thënë diçka mjaft interesante. Ai është kundër “Topit të Artë”, dhe mendoj se ka të drejtë, sepse sot futbolli po e humbet konceptin e skuadrës, duke u fokusuar më shumë te individualitetet. Dikush vrapon 11 km në një ndeshje dhe një tjetër 9 km. Mos kjo do të thotë se ai që ka përshkuar më shumë km është më i mirë? Ndoshta jo. Ndoshta 9 km janë më të rëndësishme se 11″. Mourinho në fakt nuk njihet si një trajner që krijon marrëdhënie të ngushta me lojtarët më të mirë në skuadrat që ka drejtuar, përkundrazi gjithmonë ka treguar se vlerëson elementët me shpirtin e lartë të sakrificës.
KOHA JONË SONDAZH

