Naser Aliji, Maqedonia “sfidë” Shqipërisë për talentin e Basel
Pas Riza Durmishit, Maqedonia kërkon të fitojë edhe shërbimet e mbrojtësit të majtë të skuadrës së Basel, Naser Aliji. Por pas këtij lajtari, prej kohësh është e interesuar edhe Kombëtarja Shqiptare. Ai aktualisht është pjesë e ekipit U-21 të Zvicrës dhe ende nuk ka vendosur se me cilën kombëtare do të luajë në të ardhmen. Duke qenë se në ekipin e parë të Zvicrës mund ta ketë të vështirë grumbullimin, Aliji është gati të përgjigjet interesit të Shqipërisë, apo Maqedonisë. Ky i fundit ka lindur në Shkup të Maqedonisë, ndërsa Durmishi , i cili luan me Brondbi, ka lindur në Danimarkë, por është me origjinë nga trevat shqiptare të Maqedonisë dhe prandaj vendosi të zgjedhë pak kohë më para këtë përfaqësuese. Aliji kaloi që në moshë të re në Zvicër dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së njohur zvicerane, të Basel. Ai ka të njëjtin rol me Durmishin dhe Maqedonia shpreson të fitojë së shpejti shërbimet e tij. Lajmi se Maqedonia kërkon shërbimet e Alijit, e konfirmon Argjend Beqiri, ndihmës trajneri i kombëtares maqedonase, që drejtohet nga Boshko Gjurovski. Maqedonia ka fituar kohët e fundit shërbimet e disa lojtarëve me origjinë shqiptare, si të Besart Abdurahimit dhe të Arjan Ademit. Ndihmës trajneri i Maqedonisë, Beqiri, thotë se ka kontaktuar me familjarët e Naser Alijit por nuk ka marrë ende një përgjigje prej tyre. Aliji së shpejti mbush 21 vjeç dhe është grumbulluar kohë më parë nga ekipi shpresa i Zvicrës.
KOHA JONË SONDAZH

