Ndodh e papritura te Partizani
Një epokë e re nis te Partizani, pa Sulejman Starovën. Trajneri që drejtoi të kuqtë sezonin e kaluar kërkoi sot të largohet nga stoli i 15 herë kampionëve për t’u rikthyer në pozicionin e tij të mëparshëm, në krahun e djathtë të presidentit Demi si këshilltar i numrit një të klubit.
Ky është një vendim i vetë trajnerit, i cili gjatë këtyre ditëve ka menduar për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës që mbylli kampionatin në vendin e dytë të klasifikimit.
Përsa i përket pasardhësit të Starovës duket se zgjedhja e trajnerit të ri do të jetë një zgjedhje ekzkluzive e Luciano Moggit, i cili pritet të mbërrijë javën e ardhshme në Tiranë.
Klubi që synon të ndërtojë një skuadër që të sigurojë titullin kampion, ka vendosur t’i besojë italianit me një eksperiencë të jashtëzakonshme në botën e futbollit përcaktimin jo vetëm të trajnerit të ri, por edhe zgjedhje të rëndësishme të merkatos, me Moggin që pritet të shtojë radhët e të kuqve me disa futbollistë të huaj në ndjekje të shembullit Ekuban që rezultoi si një ndër të huajt më të mirë që kanë zbarkuar ndonjëherë në Kategorinë Superiore.

