Nesër beteja Inter-Milan, Inzaghi: Do luajmë për të fituar dhe për të kapur finalen
Nesër (e martë), Interi do të përballet me Milanin në një sfidë që është e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Sfida do të përcaktojë skuadrën që do të kualifikohet në finale. Trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi, e cilëson si ndeshje të rëndësishme dhe se skuadra e tij futet vetëm me një qëllim për të fituar dhe për të kapur finalen. Inzaghi u shpreh se e gjithë vëmendja është te ndeshja e së martës, askush nuk mendon për kampionatin.
“Ekipi është plot energji dhe të motivuar, ne e dimë rëndësinë e sfidës dhe çfarë përfaqëson për ne. Vijmë nga tri fitore radhazi dhe jemi gati. Kjo është e katërta përballje derbi, nesër duam të fitojmë sepse synimi është finalja e Kupës. Mund të kishim arritur më shumë më parë, por episodet janë vendimtare dhe duhej të ishim të mirë për t’i trajtuar në kohën e duhur.
Kupa dhe kampionati? Një finale është e vlefshme, por e përsëris se janë dy kompeticione të ndryshme. Nesër do t’i japim përparësi absolute ndeshjes, pasi të përfundojë, pavarësisht rezultatit, do të fokusohemi te Roma dhe kampionati ynë.
Unë kam pesë sulmues, të gjithë në gjendje të shkëlqyer dhe që meritojnë të luajnë në këtë ndeshje. Çdokush mund të luajë. Unë do të bëj zgjedhjen më të mirë, zgjedhja e sulmuesve varet gjithmonë nga lloji i lojës. Dzeko dhe Correa bënë një punë e madhe me Veronën, Lautaro dhe Sanchez hynë dhe të dy shënuan. Gjithmonë varet nga ndeshja dhe si evoluon ajo”.