Nico Paz “driblon” Realin dhe Interin: Do të doja të luaja me Yamal!
Në sezonin e tij të parë me Como-n, Nico Paz është bërë protagonist absolut. Me 6 gola dhe 7 asistime, mesfushori ofansiv argjentinas ka treguar shkëlqim dhe cilësi që kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha. Real Madrid, që mban të drejtën e rikthimit të lojtarit për shumën 9 milionë euro në vitin 2025, 10 milionë në 2026 dhe 11 milionë në 2027, është gati ta rikthejë në “Santiago Bernabeu”.
Por Como nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga xhevahiri i saj. Klubi lombard po përpiqet të negociojë me “Los Blancos” për të hequr klauzolën e rikthimit dhe ta mbajë Paz edhe për të paktën një sezon tjetër, duke e bërë pjesë të projektit afatgjatë.
Në prapaskenë, ndërkohë, Inter po tenton një lëvizje strategjike për ta bërë të vetin talentin 19-vjeçar. Zv/presidenti i klubit, Javier Zanetti, i ndihmuar nga marrëdhëniet e mira me babanë e lojtarit, ka ndërmarrë hapa konkretë për ta afruar Nico Paz në Milano dhe për t’ia rrëmbyer Realit këtë premtim të madh.
Ndërkohë, një deklaratë e fundit e vetë lojtarit ka shtuar dilemat rreth të ardhmes së tij, duke shqetësuar si Interin, ashtu edhe Realin:
“Kam pasur fatin të luaj për Real Madridin, klubin më të madh në botë, dhe të ndaj fushën me yje si Vinicius dhe Bellingham. Nëse do të zgjidhja dikë tjetër me të cilin do të doja të luaja, do të thoja Lamine Yamal, është një nga më të mirët në botë,” tha ai për kanalet zyrtare të Como-s.
KOHA JONË SONDAZH

