Nis grumbullimi për eliminatoret, zbardhet agjenda e kuqezinjve
Kampionatet e futbollit ndalen për t’u lënë vendin përfaqësueseve, teksa Kombëtarja Shqiptare nis sot grumbullimin për eliminatoret Katar 2022, ku do të përballet me Hungarinë e Poloninë në harkun e tre ditëve, me objektivin për të mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Kupën e Botës.
Trajneri Edi Reja publikoi paraditen e të dielës listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për këto dy ndeshje, ku bie në sy rikthimi i mbrojtësit të krahut, Ivan Balliu, i cili ka rilindur te Rayo Vallecano dhe po bën shumë mirë në elitën e kampionatit spanjoll, por mungojnë dy mesfushorë si Laçi e Abrashi, për arsye dëmtimi.
Gjatë ditës së sotme pritet që të gjithë futbollistët të mbërrijnë në kompleksin “Tropikal”, ku grumbullohet tashmë thuajse gjithmonë kombëtarja shqiptare, ndërsa trajneri Edi Reja do të dalë në një konferencë për shtyp në orën 13:15, ku do të shpjegojë edhe zgjedhjet e objektivat për këto dy ndeshje, ndërsa pasdite do të veshë tutat për të drejtuar seancën stërvitore.
Fluturimi i kuqezinjve për në Hungari është planifikuar për paraditen e të premtes, një ditë para ndeshjes, teksa në “Ferenc Puscac” do të mbahet një seancë stërvitore dhe konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit dhe kapitenit.
Sfida ndaj maxharëve do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 2, ndërsa menjëherë pas ndeshjes, pritet që delegacioni i kuqezinjve të fluturojë menjëherë drejt Shqipërisë.
Destinacioni do të jetë sërish kompleksi “Tropikal” në Durrës, ku skuadra do të qëndrojë deri të martën pasdite, për t’u nisur më pas drejt kryeqytetit, ku në “Air Albania” do të përballet me Poloninë e Robert Lewandowskit.
Shqipëria aktualisht renditet në vendin e dytë të grupit I, me 12 pikë në 6 ndeshje dhe për të ruajtur këto pozita, duhet të marrë maksimumin nga dy përballjet me Hungarinë e Poloninë, të cilat janë edhe rivalet direkte për t’u pozicionuar pas Anglisë.