Nuk po rinovon me Juven, Chelsea bën gati super ofertën për të rrëmbyer Dybala-n
Juventus prej muajsh është në negociata me Paulo Dybala-n për rinovimin e kontratës, por deri më tani nuk ka mundur që të gjejë gjuhën e përbashkët. Problemi për momentin janë pretendimet e argjentinasit për pagën.
Menaxherët e Dybalës e kanë bërë të qartë se duan një pagë prej 15 milionë eurosh në sezon për të hedhur firmën mbi kontratën e re, ndërsa te Juventus nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 10 milionë eurove në sezon.
Për sulmuesin argjentinas janë vënë në lëvizje disa klube angleze si Manchester United, Tottenham e veçanërisht Chelsea, që është gati ta transferojë “La Yoja”-n në Londër që në muajin janar.
Pasi bënë një fushatë blerjesh të jashtëzakonshme këtë sezon merkatoje, Abramovich e Lampard shikojnë Dybalën si “qershinë mbi tortë” për të krijuar një skuadër të frikshme në Angli dhe në Europë.
Momentalisht mediat italiane raportojnë se drejtuesit e Chelsea-t kanë nisur negociatat me menaxherët e Dybalës dhe në rast të një akordi do të paraqiten në Torino me 80 milionë euro, për të marrë argjentinasin në Londër që në muajin janar.
Me afrimin e Chiesës e Kulusevskit, drejtuesit e Juves nuk e shohin si të pashitshëm Dybalën, pasi janë të mbuluar si në rastin e një skeme 3-5-2, ashtu edhe të rreshtimit 4-3-3, mbi të cilat Pirlo po ndërton skuadrën e tij.