Odise Roshi e justifikon humbjen ndaj Luksemburgut: Kthehemi te fitorja!
Odise Roshi e ka një justifikim për humbjen përballë Luksemburgut. Në një deklaratë për mediat nga Turqia mesfushori anësor tha se edhe përfaqësuese të tjera të mëdha kanë humbur përballë kësaj skuadre modeste pasi sipas tij mungon motivimi, shkruan SYRI.net.
“Edhe ekipe me të mëdha kanë humbur kundër Luksemburgut, kishim tre-katër shanse për ta mbyllur ndeshjen. Pastaj sikur u liruam pak dhe pësuam dy gola. Ne kemi ecuri më mirë kur kemi luajtur me një sulmues, por ka raste kur duhet të luash edhe me 2. Kjo është në varësi të kundërshtarit. Ka shumë skema që kemi aplikuar në stërvitje, pak e vështirë sepse Izraeli ka ekip të mirë, por besoj se ne jemi më lart.”, u shpreh ai.
Nëse Shqipëria fiton me Izraelin, Roshi është i bindur se do të harrohet ecuria negative e ndeshjeve të fundit.
“E kam ndjekur Izraelin në ndeshjet me Maqedoninë dhe Italinë. Luajnë mirë në të dyja fazat. Ne duhet të japim maksimumin dhe nëse marrim fitoren shumë humbje që kemi bërë shumëzohen me zero. Përqendrimi është më i rëndësishëm në futboll, ndan suksesin me humbjen. Shqipëria arriti në një nivel ku nuk kishte qenë kurrë. Të gjithë çunat e kanë ndoshta mendimin që kemi rënë cilësisht por duhet të jemi më të përqendruar ndaj Izraelit. Harmoni duhet të ketë gjithmonë në skuadër, edhe nëse humbim duhet të jemi më të qeshur për t’u kthyer te fitorja. Nuk kemi probleme, skuadra di të rinovohet vit pas viti sepse do të vijnë elementë nga shpresat.”, përfundoi ai.
Më 11 qershor Kombëtarja shqiptare do të përballet në sfidën e vështirë kundër Izraelit të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018”.
KOHA JONË SONDAZH

