Pirlo: Eliminimi nga Championsi goditje e rëndë, zërat për largimin e Ronaldos janë normal!
Eliminimi nga Liga e Kampionëve ka prishur atmosferën në kampin e Juventusit, që tani do të duhet të lërë gjithçka pas krahëve dhe të mendojë për kampionatin, ku do të kërkojë t’i afrohet sa më shumë Interit kryesues. Trajneri Andrea Pirlo doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku pranoi se skuadra e ka vuajtur jo pak eliminimin nga Liga e kampionëve.
“Eliminimi nga Champions ishte një goditje goxha e rëndë, por skuadra po e merr veten. Jemi stërvitur të gjithë bashkë dhe kemi përpara rrugën drejt Cagliarit, ndaj duhet të mendojmë vetëm për atë ndeshje. Sardët kanë ndërruar trajner dhe menjëherë kanë marrë rezultate mjaft pozitive, ndaj e dimë që na pret një transfertë e vështirë, ku duhet të marrim 3 pikët”, u shpreh strategu bardhezi.
Cristiano Ronaldo është një nga ata që e kanë vuajtur më shumë eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe mediat kanë aluduar për një rikthim të mundshëm të tij te Reali i Madridit.
“Ronaldo është mirë. Normalisht që është i zhgënjyer, ashtu si e gjithë skuadra, por është stërvitur mirë, për të luajtur nga fillimi ndaj Cagliarit. Është një nga personazhet më të rëndësishëm në këtë sport dhe zërat përreth tij janë normale në çdo kohë”, deklaroi trajneri i Juventusit.
KOHA JONË SONDAZH

