Po rikthehet Moratti tek Inter, zbulohet projekti i tij ambicioz
Pavarësisht përgënjeshtrimit që i bëri lajmit për një rikthim të mundshëm në krye të Interit, Massimo Moratti lë të kuptohet se mundësia për të marrë kontrollin e shoqërisë mbetet reale. Plani i manjatit italian është i qartë, ai kërkon të angazhojë në projekt edhe Ernesto Pellegrinin, njeriun të cilit i bleu aksionet e klubit në vitin 1995. Ky i fundit është i përfshirë në një rreth të gjerë investimesh dhe angazhimi i një elite me buxhet të lartë financiar mund të jetë zgjidhja për të nxjerrë skuadrën nga kjo situatë. Baza nga e cila do të nisë projekti përbëhet nga rreth 30 mijë persona ku secili të kontribuojë me minimalisht 1 mijë Euro në vit. Përkthyer në shifra, 20-30 milionë Euro do të arkëtoheshin çdo vit nga klubi që në këtë mënyrë do të ketë mundësi të punojë i qetë në merkato.
Tifozët ultras të Interit të cilëve ua mban xhepi edhe një shifër më të madhe, parashikohet që të jenë disa mijëra. Në këtë tablo, Moratti do të vazhdojë të mbajë rreth 30 % të aksioneve, ndërsa Thohir duhet ta shesë pjesën e tij për të ndërtuar një model shoqërie me shumë aksionerë. Mënyra e funksionimit do të jetë shumë e thjeshtë; kush investon më shumë para do të ketë të drejtë vendimmarrje më të madhe por nga ana tjetër do të përfitojë edhe më shumë nga të ardhurat hipotetike që shoqëria do të grumbullojë. Një formulë e paprovuar ende në futbollin italian por që mund të rezultojë shpëtimtare për Interin e vitit 2015 ku rezultatet, paratë dhe idetë mungojnë.
KOHA JONË SONDAZH

