Prag-derbi me Inter, sipërmarrësit kinezë interes për Milan
Një grup i ri sipërmarrësish kinezë ka dalë në skenë për të blerë pjesën më të madhe të aksioneve të Milan. Sipas mediave italiane, pas Bee Taechaubol e Richard Lee, shoqëria e drejtuar nga Fu Yixiang, zëvendëspresident i Dhomës së Tregtisë, Itali-Kinë, ka kërkuar që të nisë bisedimet me presidentin Silvio Berlusconi. Ai ka bërë me dije se përfaqëson një grup biznesmenësh por nuk zbuloi identitetin e tyre pasi çështja nuk është bërë ende zyrtare. Ai shtoi se nëse operacioni mbyllet me sukses, objektivi i parë është rritja e menjëhershme e numrit të tifozëve në “San Siro” për të siguruar sa më shumë të ardhura që më pas do të përdoren për merkaton. Sakaq, skuadra e drejtuar nga Pipo Inzaghi ka nisur të mendojë për derbin e Madoninës që po afron, dhe Ignazio Abate, 28-vjeç, flet mbi një fitore në derbi përballë Inter, që thotë se do t’i shërbente shumë skuadrës por mbi të gjitha do të rikthente lumturinë te tifozët. – “Sigurisht që ky nuk do të jetë një derbi i njëjtë me ata të disa viteve më parë, megjithatë motivimi për të bërë mirë në këtë sfidë te ne nuk mungon. Duam ti dhurojmë një gëzim klubit dhe tifozëve tanë duke fituar derbin. Për të arritur tek suksesi duhet të zhvillojmë një ndeshje kompakte, pasi Inter ka në përbërje lojtarë cilësorë,” – thotë Abate. Ai paralajmëroi shokët e skuadrës të kenë shumë kujdes nga sulmuesit e Interit. – “Ata janë një skuadër e mirë dhe kanë në dispozicion lojtarë të mëdhenj. Përpara kanë finalizues shumë të mirë si Palacio dhe Icardi, prandaj ne duhet të tregohemi shumë të vëmendshëm”. Në mungesë të Montolivos shiritin e kapitenit në derbi pritet ta mbajë pikërisht Ignazio Abate. – “Për mua është një nder, një prestigj dhe një krenari e madhe të mbaj në krah shiritin e kapitenit, por nuk duhet të harrojmë faktin që kapiteni ynë është Montolivo. Ricardo na ka munguar shumë gjatë këtij sezoni dhe shpresoj që të rikthehet në ndeshjet e ardhshme pasi prania e tij në skuadër do të na jepte një dorë për të përfunduar sa mirë sezonin”. Milan ndodhet aktualisht në mes të klasifikimit të Seria A, me pak shanse për të prekur zonën e Europës sezonin tjetër, çka ka zemëruar tifozët. Gjithsesi, një fitore ndaj Interit, mund të rikthente disi buzëqeshjen tek kjo skuadër.
KOHA JONË SONDAZH

