Presidentët e Federatave të Italisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vizitojnë shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit
Shqiptarët e të gjitha trojeve gjithmonë të bashkuar nga futbolli. Armand Duka i federatës shqiptare, Agim Ademi i asaj kosovare dhe Muamet Sejdini i federatës së Maqedonisë së Veriut, kanë pritur në Tiranë kreun e Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina. Një takim që shërbeu për projekte të përbashkëta, si edhe vizitën në shtëpitë e rindërtuara nga kontributi i katër federatave, pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019.
“Shpreh jo vetëm mirënjohjen time dhe të komunitetit të futbollit, por edhe të të gjithë shqiptarëve, për solidaritetin në një moment shumë të vështirë. Mbi 40 për qind të punëtorëve në kompaninë e presidentit Gravina janë shqiptar. Edhe ky është tregues i miqësisë dhe afërsisë me ne”, u shpreh Duka.
Pas konfirmimit në krye të federatës italiane, Gravina do të kandidojë edhe në ekzekutivin e UEFA-s. Megjithatë, sipas tij vizita në Tiranë dhe takimi i katër presidentëve nuk ishte politik.
“Ne të katërt përfaqësojmë gati 8 për qind të federatave europiane të futbollit. Sot nuk duam të bëjmë politikë. Mund të flisnim edhe në telefon. Prezenca ime këtu lidhet me faktin se Italia, Shqipëria dhe futbolli duhet të qëndrojnë të bashkuar në rrugën e tyre”, u shpreh Gabriele Gravina.
Në përfundim të prononcimit të katër presidentët shkëmbyen fanellat e kombëtareve respektive në shenjë simbolike për këtë vizitë.

KOHA JONË SONDAZH

