Presidenti i Veronas vizitë surprizë FSHF, premton hapjen e një akademie
Ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit i vizitoi sot një personazh i rrallë. Presidenti i klubit italian të Seria A, Veronas, Maurizio Setti, gjatë vizitës surprizë në vendin tonë zhvilloi një takim me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dhe me drejtues të tjerë të këtij institucioni. Fillimisht ai u ndal në muzeun e federatës dhe më pas sqaroi qëllimin e vizitës. – “Ishte një vizitë kortezie por edhe vizitë pune. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Falënderoj presidentin Duka, për pritjen e ngrohtë. Shqipëria është një vend që premton shumë në futboll, prandaj unë jam këtu për të kuptuar pak më shumë rreth vendit dhe futbollit tuaj”. Gjithashtu Bosi i Veronas, Setti, bëri një koment edhe për zhvillimin e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar te ecuria pozitive e disa prej kuqezinjve në kampionatin italian të Seria A. – “Lojtarët shqiptarë janë të përgatitur, kanë karakter. Unë që vij nga Carpi dhe kam një shembull. Ai është Memushaj, një lojtar me shumë grintë prandaj mund të them se në Itali ka hapësira për lojtarët e mirë shqiptarë”. Presidenti 52-vjeçar i Veronas la gjithashtu të hapur mundësinë e krijimit të një akademie në vendin tonë. – “Në po punojmë për shumë akademi në Itali dhe besoj se në të ardhmen mund të nisim një bashkëpunim, por për këtë do të flasim me federatën. Shqipëria nuk është shuma larg Italisë dhe menaxhimi mund të jetë i lehtë, por e theksoj që kjo është një mundësi që do ta konsiderojmë në të ardhmen”. Në fund, drejtuesit më të lartë të klubit italian dhe të FSHF-së ndërruan fanellat në mënyrë simbolike për të sinjalizuar në këtë mënyrë hapin e parë të një bashkëpunimi mes tyre.
KOHA JONË SONDAZH

