Probleme tek Barça, por Mesi shpallet “i përjetshëm”
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu tha se i pranon kritikat, por shtoi se gjithçka lidhet me fushatën mbi zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Presidenti katalanas pranoi se brenda ekipit të tij ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, por ai mbështet Messin, ashtu edhe trajnerin Enrique. – “Ne kemi ndërtuar një ekip, ku Messi është figura qendrore dhe janë false komentet mbi të,” – tha presidenti i Barcelonës, duke hedhur poshtë çdo hipotezë se ndonjë klub tjetër mund t’ia rrëmbejë lojtarin më të çmueshëm në planet, për të cilin ai thotë se “Pleshti” nuk “ka çmim”. Drejtori sportiv Andoni Zubizarreta u shkarkua pak ditë më parë nga klubi mbi situatën e fundit që po kalojnë katalanasit. Por presidenti tha se ka qenë në mbrojtje të tij dhe pas largimit, tani atij i duhet të mendojë për të gjetur një tjetër drejtues në klub. Është e qartë se Barcelona nuk po kalon momente të mira, teksa tensioni që mbizotëron brenda klubit, konfirmohet nga vetë presidenti Josep Maria Bartomeu, i cili doli dje për të sqaruar para medieve ecurinë dhe të ardhmen e katalanasve. Vetëm pak ditë më parë u shkarkua nga drejtimi i Barcelonës drejtori teknik Zubizareta. – “Gjëja më e rëndësishme është të kërkojmë sukses. Kjo bazohet gjithnjë tek njerëzit që qëndrojnë pas skuadrës. Unë kërkoj gjithnjë mbështetjen e tyre,” – theksoi Bartomeu. – “Dua të vazhdoj mandatin deri në vitin 2017 dhe mendoj se na duhet më shumë qetësi. Është pozitiv fakti se anëtarët e klubit mund të votojnë projektin tonë. Por ka pasur shumë tension gjatë javëve të fundit dhe kjo është e papranueshme për këtë klub.”Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, më tej shtoi se do të ketë zgjedhje të reja në fund të këtij sezoni. -“Tensioni ka qenë i ekzagjeruar, por klubi është solid dhe ne jemi gati të nisim një projekt të ri për të ndërtuar një stadium të ri dhe në të gjitha aspektet dhe sportet e tjera ekipet e Barcelonës luftojnë për të fituar tituj dhe trofe.” Edhe brenda ekipit të Barcelonës , situata nuk paraqitet e qetë. Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, ka refuzuar të bëj komente në lidhje me sulmuesin Lionel Messi, të cilin e quajti “lojtarin më të mirë në botë.” Raportet në Spanjë sugjerojnë se golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave në kampionatin spanjoll, Mesi, 27 vjeç, është i pakënaqur me drejtimin e ekipit nga trajneri Enrique. Por ky i fundit shtoi: – “Leo Messi është lojtari më i mirë në botë dhe sigurisht edhe në ekipin tonë. Gjërat kanë ndryshuar dhe unë nuk kam ndërmend të flas se çfarë diskutohet në dhomat e zhveshjes.” Enrique u pyet nëse Mesi është i kënaqur dhe a ka dëshirë të qëndrojë ende tek Barça – klub ku ai ka shënuar mbi 250 gola në ligë. Raportet e fundit flasin për një largim të tij nga “Nou Camp”, por trajneri katalanas e cilësoi normale një gjë të tillë dhe e konsideroi Messin pjesë të skuadrës që ai drejton. Gjithsesi, situata aktuale tek Barcelona duket se nuk është fort edhe aq e mirë. Nga kjo situatë mund të përfitojë Real Madrid, në garë për titull, por edhe ekipet e tjera angleze si Siti e Çelsi, në merkato, që prej kohësh kërkojnë të fitojnë shërbimet e lojtarit më të mirë në botë, Lionel Messi.
KOHA JONË SONDAZH

