Pronari i bardhezinjve, Elkann: Padrejtësia është evidente, Juventusi nuk është problemi i futbollit italian
John Elkann në një intervistë për “La Repubblica” ka folur për situatën e Juventusit dhe dënimin e rëndë që ka marrë së fundmi prej 15 pikësh nga Federata Italiane e Futbollit.
“Në këto 100 vite jetë së bashku kemi kaluar periudha kënaqësie të mëdha dhe vështirësi po të mëdha, si së fundmi. Në 20 vjet, Juventusi ka fituar 11 kampionate, 6 Superkupa Italie, 5 Kupa të Italisë. Italia fitoi Europianin duke u mbështetur te lojtarë nga Juventusit, dhe gjithashtu dhe Argjentina që fitoi Kupën e Botës kishte dy juventinë.
Juventusi është skuadra italiane më e dashur dhe më e ndjekur: ata përfaqësojnë futbollin tonë kombëtar. Padrejtësia e këtij vendimi është evidente, shumë e kanë vënë në dukje dhe pse nuk i përkasin botës bardhezi. Ne do të mbrohemi fort për të mbrojtur interesat e tifozëve të Juventusit dhe të gjithë atyre që e duan futbollin.
Shpresoj që së bashku me ekipet e tjera dhe qeverinë të mund të ndryshojmë futbollin në vendin tonë, për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe ambicioze. Juventusi nuk është problemi, por është dhe do të jetë gjithmonë pjesë e zgjidhjes. Këtu rrezikohet e ardhmja e Serisë A dhe e futbollit italian, e cila po bëhet margjinale dhe e parëndësishme”, deklaroi pronari i klubit të Juventusit. /Rozalb Lika-Koha Jonë/