Qerimaj 3 medalje ari në Kupën Mesdhetare, Godelli dhe Calja nuk zhgënjejnë
Në San Marino, po zhvillohet edicioni i 12-të i Kupës Mesdhetare në peshëngritje, një event ku Shqipëria mori pjesë me 3 shtangistë. Erkand Qerimaj shkëlqeu me plot 3 medalje të arta në peshën deri në 81kg. Stilin e shkëputjes, shkodrani arriti peshën 156kg, duke e mbyllur i pari, ndërsa po i pari doli edhe në shtytje, me 190kg. Me 346 kilogramë në total, Qerimaj arriti kështu plot 3 medalje të arta në këtë kompeticion.
Po në këtë peshë, garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar, Daniel Godelli. Ai u rendit i katërti në shkëputje, me 145kg, ndërsa arriti medaljen e bronxtë në shtytje, me 181kg. Në renditjen totale, ai e mbylli i katërti në total, duke mos arritur dot në zonën e medaljeve.
Briken Calja, arriti medalje të argjendtë në shkëputje, në peshën deri në 73 kg, teksa ngriti 151 kilogramë. Në shtytje, Calja ngriti 175kg dhe u rendit i treti, ndërsa po i treti e mbylli edhe renditjen totale në të dyja garat.