Ra nga një ndërtesë, sulmuesi i Gabonit humbet jetën në moshën 28-vjeçare

Futbolli afrikan është në zi pas lajmit të hidhur për vdekjen e sulmuesit Aaron Boupendza, i cili ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare, pasi ra nga një ndërtesë në Kinë, sipas raportimeve të para.

Boupendza, i cili ka përfaqësuar kombëtaren e Gabonit në 35 ndeshje ndërkombëtare, ishte një nga emrat më të spikatur të skuadrës në Kampionatin Afrikan të Kombeve (AFCON) 2021 që u zhvillua në Kamerun.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Boupendza u bë publik nga Federata e Futbollit të Gabonit (Fegafoot) përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruhej:

“Boupendza do të mbahet mend si një sulmues i madh që la gjurmë gjatë AFCON në Kamerun. Fegafoot dhe e gjithë familja e futbollit gabonez i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.”

Homazhe për sulmuesin kanë bërë edhe figura të rëndësishme, përfshirë edhe Presidentin e zgjedhur të Gabonit, Gjeneral Brice Clotaire Oligui Nguema, i cili e përshkroi Boupendzën si: “Një sulmues me talent i jashtëzakonshëm që i dha nder futbollit gabonez.” /Koha Jonë/

SHKARKO APP