Rama: Forcojnë lëvizjen olimpike në shkolla, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar: Sporti në Shqipëri po ecën
Me rastin e përurimit të ambienteve të reja të Komitetit Olimpik në Shqipëri, këtë të dielë kryeministri Edi Rama priti në një takim miqësor Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Duke e konsideruar të jashtëzakonshme vizitën, kreu i qeverisë theksoi se ndau me të rezultatet e para të rithemelimit të lëvizjes olimpike në shkolla. Për Ramën kjo është një bazë e rëndësishme dhe e munguar për shumë vite.
“Vizitë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe na vjen mirë që ndamë me presidentin disa rezultate të para të procesit të rithemelimit të lëvizjes olimpike në shkolla që sapo ka hedhur hapin e parë të rëndësishëm që në çdo shkollë të kemi skuadrat sportive dhe kampionatet sportive mes shkollave. Do vendosim një bazë të rëndësishme e të munguar për shumë vite dhe do të kemi sportistë që do të ngjiten në shkallë të tjera dhe të shkojnë në olimpiadë”,-tha Rama.
Presidenti i komiteti Olimpik ndërkombëtar vlerësoi progresin e Shqipërisë në sporte.
“Jemi shumë të emocionuar të shikojmë progresin që po bën sporti në Shqipëri në krahasim me të shkuarën. Jemi besimplotë se shqiptarët mund të kenë përpara një të ardhme të ndritur. Shumë respekt për përgjegjësinë mes qeverisë dhe kryeministrit. Jam i lumtur të jem këtu dhe të shoh sportin në Shqipëri të ecë në këtë mënyrë”, tha Thomas Bach.