Raspadori i jep fitoren Napolit ndaj Lecces, titulli më pranë për Conten
Napoli nuk gabon në garën për titullin kampion dhe shkëputet edhe më shumë nga Interi. Në ndeshjen e javës së 35-të të Serie A, skuadra e trajnerit Antonio Conte triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Lecce-s, duke u ngjitur përkohësisht në kuotën e +6 pikëve nga zikaltrit, që ndjekin në vendin e dytë.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Via del Mare”, ku gjithçka u vendos në pjesën e parë. Në minutën e 24-t, Raspadori ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke zhbllokuar rezultatin. Lecce iu afrua shumë golit të barazimit me një goditje me kokë nga Gaspar, e cila u përplas në traversë pas një zhvillimi nga këndi.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Giampaolo rriti ndjeshëm ritmin dhe kërkoi me ngulm golin, por Napoli qëndroi i organizuar në mbrojtje dhe menaxhoi rezultatin deri në fund, duke marrë një fitore shumë të vlefshme në rrugën drejt Scudettos. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

