Rikthimi i Mourinhos te Reali? Benfica bën lëvizjen e papritur
E ardhmja e Jose Mourinho ka marrë vëmendjen kryesore në skenën europiane të futbollit. Zërat që e lidhin “Special One” me një rikthim të mundshëm te Real Madrid kanë shtyrë Benfica të reagojë me shpejtësi për të mos humbur trajnerin e tyre.
Sipas raportimeve të AS, presidenti i klubit portugez, Rui Costa, ka planifikuar një takim në fillim të javës së ardhshme me synimin për të rinovuar kontratën e Mourinhos dhe për të garantuar vazhdimësinë e projektit.
Edhe pse qëndrimi në Lisbonë mbetet prioritet për trajnerin portugez, interesi i “Los Blancos” vazhdon të jetë një kërcënim real. Situata bëhet edhe më delikate për shkak të një klauzole në kontratën e Mourinhos, që lejon largimin e tij kundrejt pagesës prej 3 milionë eurosh deri në fund të muajit maj.
Kjo klauzolë i jep një avantazh të madh klubit madrilen dhe presidentit Florentino Pérez, i cili mund të tentojë rikthimin e trajnerit që u largua nga Madridi në vitin 2013.
Për të shmangur një skenar të tillë, drejtuesit e Benficës janë të vendosur të veprojnë shpejt. Oferta për rinovim synon jo vetëm zgjatjen e kontratës aktuale (që skadon në 2027), por edhe eliminimin e klauzolës së largimit, duke e bërë çdo transferim të mundshëm shumë më të kushtueshëm dhe kompleks.
Në këtë mes luan rol edhe agjenti i njohur Jorge Mendes, i cili raportohet se ka nisur kontaktet e para me drejtuesit e Real Madridit për të kuptuar terrenin.
KOHA JONË SONDAZH

