Rio Ferdinand shpërthen në elozhe për Yamal: Duhet ta fitojë Topin e Artë!
Ish-mbrojtësi i famshëm i Manchester United, Rio Ferdinand, ka shpërthyer në elozhe për talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, pas paraqitjes së jashtëzakonshme të këtij të fundit ndaj Interit në Champions.
Në një postim në profilin e tij në X, Ferdinand shkroi:
“Si një talent i pastër futbollistik, Lamine Yamal është në një tjetër nivel krahasuar me çdo lojtar në pesë kampionatet kryesore të botës. 17 vjeç. Thjesht i pabesueshëm.”
Më pas, në kanalin e tij në YouTube “Rio Reacts”, ish-kapiteni anglez e çoi edhe më tej vlerësimin:
“Nuk e di nëse ekziston një lojtar më emocionues për t’u parë në stadium. Duhet ta fitojë Topin e Artë, Topin e Artë, Topin e Artë,” tha ai, duke e përsëritur tre herë me bindje përpara kamerës.
Ferdinand theksoi gjithashtu rëndësinë e impaktit të lojës së Yamalit: “Ka lojtarë me statistika të ngjashme, por loja nuk është vetëm numra. Është ajo që sheh me sytë e tu, emocionet që të jep ai lojtar, mënyra si ndikon në atmosferën e stadiumit dhe si mban njerëzit të ngjitur pas ekranit në shtëpi”. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

