Romela Begaj: Po hedhin baltë mbi mua, jam e pastër
Peshëngritësja Romela Begaj ka rezultuar pozitive edhe në testin B për përdorimin e dopingut duke konfirmuar kështu rezultatin e testit të parë dhe tashmë rrezikon një dënim të gjatë.
28-vjeçarja ka folur për A1Report duke thënë se është e pastër dhe po përpiqen të hedhin baltë mbi të.
Testi B i kryer në qytetin e Këlnit në Gjermani konfirmoi se Begaj kishte përdorur stanazonol dhe ajo rrezikon përjashtim nga gjithë kompeticionet.
“Mjekët në Këln të Gjermanisë ku bëra edhe analizën e testit B thekson se nuk është stanazonol, sikur po flitet, por një substancë që nuk ia di as emrin, me shumë mundësi një kimikat që merret përmes ushqimit.
Më vjen shumë keq dhe turp që është hedhur baltë mbi emrin tim, Luan Shabanin, por edhe peshëngritësit e tjerë Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se jam e pastër dhe do të vazhdoj betejën time deri në fund” tha Begaj.
Përsa i përket hapave të mëtejshëm, peshëngritësja deklaroi se pas 4 javës do të përballet me panelin në Budapest. “Pas 4 javësh do të jem përballë panelit dëgjimor në Budapest për të përballur provat e dy testeve dhe për të shpjeguar gjithçka”.
Lidhur me deklaratat e FSHP për atë dhe Luan Shabanin ajo tha: “Tani jam e stresuar, pasi kam pësuar një goditje të madhe, por në momentin e parë që do të zgjidh cështjen do të merrem me të gjithë ata që më kanë akuzuar dhe që kanë qenë pjesë e kësaj meseleje”.
Nëse edhe peshëngritësit Godelli dhe Pulaku dalin pozitivë në testin B që do të kryhet në muajin janar, Federata Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon një përjashtim të gjatë duke mos u përfaqësuar në asnjë kompeticion.
KOHA JONË SONDAZH

