Ronaldo flet për 1000 golat në karrierë: Nuk është objektivi im, unë jam më i miri në histori!
Cristiano Ronaldo nuk dëshiron që karriera e tij të përcaktohet nga shifra e 1000 golave. Ylli portugez, në një intervistë për CNN Portugal, theksoi se përqendrimi i tij mbetet te e tashmja, ndërsa vazhdimi i karrierës do të varet nga motivimi për të luajtur futboll.
Sulmuesi portugez pranoi se vëmendja e madhe ndaj rekordit historik shpesh e zhvendos fokusin nga paraqitjet e tij aktuale. Sipas tij, tifozët janë më të interesuar të numërojnë golat që i nevojiten për të arritur këtë shifër, sesa të shijojnë atë që po bën në fushë.
“Edhe nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, unë jam më i miri në histori, pikë dhe mbaroi. Nuk ka diskutim”, deklaroi Ronaldo.
I pyetur nëse beson se do të arrijë kuotën e 1000 golave, ylli portugez u tregua i rezervuar, duke theksuar se kjo nuk është objektivi i tij kryesor.
“Nëse i arrij, fantastike! Por nuk është objektivi im”, u shpreh ai.
Ronaldo foli edhe për të ardhmen, duke zbuluar se nuk planifikon shumë larg. 40-vjeçari theksoi se motivimi do të jetë vendimtar për vazhdimin e karrierës.
“Nëse zgjohem një ditë pa motivim, nuk dua të luaj më”, përfundoi portugezi, duke lënë të kuptohet se dëshira për futbollin do të peshojë më shumë se çdo rekord.

