Ronaldo nuk dorëzohet, hedh sërish në gjyq skuadrën e Juventusit

Beteja ligjore mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos vazhdon. Portugezi, i cili nuk dëshiron të heqë dorë nga 19.5 milionë euro pagat e prapambetura, siç dihet e ka dërguar klubin bardhezi para Bordit të Garancive të Coni.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar më 4 tetor, kur sulmuesi portugez do të rikthehet për të sfiduar ish-klubin e tij, larg fushës së lojës. Shifra në fjalë ka të bëjë me manovrën e dytë të pagave, të kryer në atë kohë (2020-2021) nga drejtuesit e menaxhmentit të Andrea Agnelli.
Në marrëveshjen e hartuar nga dy palët e përfshira, 38-vjeçari do të kishte hequr dorë nga një pjesë e pagës së tij të madhe, me kushtin që ta merrte më vonë. Këtë pjesë të shtyrë në kohë të pagës, sipas yllit portugez, nuk e ka marrë kurrë.
Prandaj është ndërmarrë lëvizja e CR7 për t’u ballafaquar para Bordit të Garancisë Coni. Manovra e pagave të “Zonjës së Vjetër” kishte një objektiv të qartë: të lehtësonte një buxhet shumë të rëndë, të rënduar edhe nga dëmi i pandemisë së koronavirusit.
Tani do t’iu mbetet gjyqtarëve të vërtetojnë të vërtetën. Sipas thashethemeve që qarkullojnë ditët e fundit, Juventusi shfajësohet nga një dokument i nënshkruar nga vetë Ronaldo në vitin 2021, pak para përfundimit të merkatos së verës.
Dokument në të cilin portugezi deklaron se ai nuk kishte më asnjë problem me Juventusin dhe se klubi nuk do të duhej t’i kthente asgjë.
KOHA JONË SONDAZH

