Serbi- Shqipëri shkon në KAS, De Biasi: Pres të triumfojë drejtësia!
Një ditë më parë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë pranoi kërkesën e Kombëtares së Shqipërisë, por edhe të Serbisë, për të analizuar ndeshjen problematike mes tyre, në Beograd, dhe kontestimit që dy vendet i kanë bërë vendimeve që mori UEFA. Shqipëria ka dhe një tjetër betejë për të fituar tashmë, atë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ku pret një vendim të drejtë për gjithçka ka ndodhur në Beograd më 14 tetorin e vitit të kaluar, në sfidën eliminatore “Francë 2016” ndaj Serbisë, e cila u ndërpre në 41’ prej trazirave dhe UEFA ia dha në tavolinë vendasve 3-0. Trajneri i stolit kuqezi Gianni de Biasi, shpreson që në Lozanë të fitojë drejtësia dhe Shqipëria të marrë atë që i takon, nga ndeshja e Beogradit. – “Pritshmëritë e mia janë që të triumfojë drejtësia. Do të ishte humbje e të gjithëve, nëse të dhunuarit do të trajtohen njësoj me ata që nuk kishin si objektiv të luanin në fushë dhe nuk vlerësonin rezultatin. Për ne që po barazonim në fushë është një padrejtësi por shpresoj që CAS të ndryshojë totalisht vendimin, që duhet bazuar në faktet reale. Të gjithë ata që kanë parë pamjet, persona të tretë që nuk kanë lidhje me Serbinë dhe Shqipërinë më kanë thënë se si mund të luanit ju aty. Pres vetëm të bëhet drejtësia, që do të thotë që Shqipëria të çlirohet nga çdo akuzë, pasi ne nuk kemi braktisur ndeshjen, sepse ne nuk ishim në gjendje të vijonim më tej atë ndeshje,” – theksoi De Biasi. Serbia ka mbetur e pakënaqur nga vendimet e UEFA-s dhe ka apeluar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi UEFA i dha tre pikët e ndeshjes me Shqipërinë, por i hoqi tre pikë në klasifikim për organizimin e dobët si dhe e dënoi me dy ndeshje pa tifozë.
Sakaq, transferimet e disa lojtarëve të kombëtares sonë, si të Andi Lilës, Emir Lenjanit dhe Bekim Balës, janë interpretuar si lëvizjet e duhura në kampin kuqezi, nga ana e trajnerit Gianni de Biazi. – “Besoj se transferimi i Andit në Itali tek Parma është i rëndësishëm, sepse luan në një nga 4 kampionatet më të fortë të Europës. Kjo eksperiencë do të ndihmojë në rritjen e tij personale që do të ndihmojë edhe Kombëtaren tonë,” – theksoi trajneri kuqezi. “Sa i përket Lenjanit, ai ishte në një situatë të ndryshme, pasi ishte në fund të kontratës dhe nuk e aktivizonin për t’i bërë presion. Shkoi tek Rennais, në një kampionat me nivel. Është e rëndësishme për eksperiencën, duke luajtur me vazhdimësi dhe më pas do t'i shërbejë Kombëtares sonë. Përsa i përket lëvizjes së fundit, të Bekim Balaj një futbollist që pavarësisht golit në Portugali nuk luante shumë me Slavian e Pragës, mendoj se tani ka mundësinë të luajë me vazhdimësi në një skuadër që luan për titullin në Kroaci. Rijeka është në vendin e dytë dhe shpresoj të bëjë mirë sepse ka një kontratë të gjatë, të fitojë më shumë eksperiencë dhe të ketë vazhdimësi në lojë që deri tani nuk e ka patur,” – theksoi De Biasi.
Goli që Bekim Balaj i shënoi Portugalisë në shtator, në ndeshjen eliminatore, e ndihmoi atë në janar të gjente një ekip tjetër, sikurse edhe Emir Lenjanin, i cili i shënoi në një ndeshje më pas Danimarkës. Kjo tregon se paraqitja e mirë në Kombëtare, ndihmon lojtarët edhe në karrierën e tyre. Viti 2015 është një vit i rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare, pasi kuqezinjtë janë shumë pranë realizimit të një ëndrre, pjesëmarrjes në Europianin e Francës në 2016. Ndeshja e parë e këtij viti do të jetë me Armeninë një test i vështirë, nga ku ëndrra mund të bëhet realitet.
KOHA JONË SONDAZH

