Sfida Barcelona-Napoli, do të luhet në Camp Nou
Autoritetet katalanase kanë arritur të bindin UEFA-n për të zhvilluar në stadiumin Kamp Nou, ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Barcelonës dhe Napolit, e dyta mes tyre që sanksionon dhe kalimin në ‘Final 8’.
Shefja e departamentit të shëndetit në provincën autonome në Spanjë, Alba Verges tha se ndeshja nuk paraqet asnjë rrezik për lojtarët dhe stafin. Protokolli shëndetësor dhe numri i kufizuar i personave shoqërues që do të aplikohet për turneun elitar, ka bindur UEFA-n për ndeshjen, që të mos e largojë nga tempulli blaugrana.
Presidenti Aurelio de Laurentiis, nuk e pranon ende këtë vendim. ”Nëse kanë caktuar që finalet e Champions t’i luajnë në Portugali, dhe ato të Europa Ligës t’i zhvillojnë në Gjermani, mund të shkojmë dhe ne më 1/8 në çfarë do vendi tjetër. Nuk e kuptoj pse duhet të shkojmë në një qytet që përfaqëson disa pika të mëdha kritike nga Covid-19”.