Sfida e fundit për titull, heshtja “pllakos” Partizanin dhe Kukësin
Tirana dhe Skënderbeu do të luajnë këtë javë përballë dy ekipeve pa shumë pretendime, respektivisht ndaj Elbasanit e Apolonisë, që konsiderohet të rëna në një kategori më poshtë. Fitoret e arritura në ndeshjet e fundjavës kanë rritur ndjeshëm optimizmin në kampet e dy prej rivalëve për titullin kampion, ndryshe nga ç’po ndodh me dy rivalet e tjera për titull, që do të përplasen këtë javë me njëra-tjetrën, në kryeqytet. Partizani, pas humbjes me Skënderbeun javën e kaluar zbriti në vend të katërt, dhe Kukësi pa barazimit pa gola me Laçin zbriti në vend të dytë. Kalendari i ka vënë këtë javë këto dy ekipe përballë njëra-tjetrës në një ndeshje ku i ndalohet secilës humbja, pasi në të kundërt do të rezultojë fatale për titullin kampion. Më këto kushte, ka pllakosur heshtja në dy kampet.
Partizani
Disfata e fundit 5-2 me Skënderbeun e Korçës e ka lënë “pa fjalë” Partizanin. Klubi i kuq ka vendosur heshtje për shtyp për tërë këtë javë, deri në takimin e radhës ndaj Kukësit, për “të folur” në fushë, ku i kërkohet medoemos fitorja si shansi i fundit për të pretenduar tek titulli kampion. Ndeshja e radhës, e vlefshme për javën e 31-të, në “Qemal Stafa”, do të jetë përballë skuadrës verilindore që mban vendin e dytë dhe ndodhet tre pika para të kuqve në klasifikim. Partizani është shkëputur 4 pikë nga kryesuesit e Skënderbeut, dhe kur kanë mbetur vetëm 6 ndeshje në dispozicion, shanset e të kuqve për të realizuar misionin madhor të titullit kampion, varen vetëm nga fitorja ndaj Kukësit. Heshtja mund të shpjegohet edhe për faktin e 5 golave të pësuar nga Skënderbeu, si asnjëherë tjetër gjatë këtij kampionati. Vendimi për heshtje, shpjegohet se skuadra kryeqytetase ka nevojë për qetësinë e duhur për t’u përgatitur jo vetëm në aspektin tekniko-taktik por edhe atë psikologjik para betejës vendimtare me Kukësin. Për këtë ndeshje, ndaj Kukësit, trajnerit Shpëtim Duro i rikthehet në mbrojtje Endri Vrapi i cili mungoi për shkak kartonësh në ndeshjen e kaluar me Skënderbeun.
Kukësi
Barazimi me Laçin ka sjellë heshtje edhe te skuadra e Kukësit, që ka zgjedhur të mos flasë për mediat në prag të ndeshjes së me Partizanin në kampionat. Verilindorët kanë zhvilluar në qetësi të plotë seancën e radhës, ku është vënë re mungesa e portierit Halilat, që ka pasur probleme me bronko-pneumoninë në krahun e djathtë dhe është shtruar në “QSUT”. Megjithatë sipas stafit mjekësor për të nuk është asgjë serioze dhe pritet të rikthehet në stërvitje për 10 ditë, duke humbur dy sfida të rëndësishme të sezonit me Partizanin në kampionati dhe Skënderbeun në Kupë. Gjithashtu edhe sulmuesi kroat Pero Pejiç ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar por me shumë gjasa do të jetë gati për takimin e fundjavës. Trajneri Shaqiri, ka bërë një analizë të shkurtër me skuadrën para nisjes së stërvitjes, ndërkohë që lojtarët kanë shprehur besimin se në dy ndeshjet e radhës do të bëjnë kthesën për të siguruar finalen e Kupës por dhe për të rigjetur suksesin në kampionat. Kukësi ndodhet para një jave vendimtare, që e ndan përfundimisht atë nga suksesi apo dështimi i mundshëm.
KOHA JONË SONDAZH

