Shkaktuan trazira në Eindhoven, arrestohen 180 tifozë të Napolit para ndeshjes
Rreth 180 tifozë të Napolit janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në qendër të qytetit Eindhoven në Holandë, në prag të përballjes së Champions League mes PSV-së dhe ekipit italian të drejtuar nga Antonio Conte.
Sipas raportimeve të policisë lokale, të publikuara nga media holandeze De Gelderlander, tifozët italianë “kanë shkaktuar shqetësime” në qytet. Grupet e tifozëve u shoqëruan me tre autobusë drejt komisariatit të policisë në Mathildelaan, ndërsa janë arrestuar edhe katër tifozë të PSV-së.
Megjithatë, sipas agjencisë lokale të lajmeve ANP, policia ka sqaruar se nuk ka pasur përleshje apo incidente serioze, por arrestimet u kryen për të parandaluar trazirat e mundshme. Zëdhënësi i policisë shtoi se tifozët napolitanë ishin një “grup i madh dhe me një atmosferë të ndezur”.
Autoritetet u kërkuan tifozëve të linin qendrën e qytetit, por ata nuk iu bindën urdhrit, gjë që çoi në arrestimin e tyre për shkelje të rregullores bashkiake mbi grumbullimet publike.
Disa nga personat e ndaluar nuk kishin bileta për ndeshjen e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet sonte. Për shkak të situatës së tensionuar, kryetari i bashkisë së Eindhovenit, Jeroen Dijsselbloem, kishte shpallur më herët një zonë sigurie me rrezik të lartë, që u lejon policëve të kryejnë kontrolle parandaluese në qendër dhe në zonat përreth qytetit.
KOHA JONË SONDAZH

