Shnajder: Roben i jashtëzakonshëm, nuk krahasohet me asnjë
Holanda u rikthye te fitorja në ndeshjet kualifikuese pasi bombardoi me një breshëri golash kombëtaren baltike të cilën në Amsterdam Arena e mposhti me rezultatin tenistik 6-0. Nuk ka sesi të mos ndihet krenar mesfushori i Gallatasarait për performancën e skuadrës së tij edhe pse Shnajder nuk preferon ti ndajë meritat tek i gjithë grupi i futbollistëve, pasi sipas tij, Roben qëndron më lart se kushdo tjetër. Sulmuesi 30-vjeçar i Bajernit realizoi një dygolësh në këtë përballje ndërkohë që asistoi edhe Van Persin, i cili shënoi golin që zhbllokoi rezultatin:
“Roben është një lojtar fantastik. Është diçka shumë pozitive të kesh në skuadër futbollistë si ai, pasi Arjen është thjeshtë i jashtëzakonshëm. Përsa i përket ndeshjes unë jam shumë i kënaqur me fitoren pasi mbi të gjitha zhvilluam një lojë të bukur dhe arritëm të dilnim nga kjo sfidë me një rezultat shumë pozitiv. Ne bëmë një hap të madh përpara por tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë kështu. Uria jonë për t’i fituar të gjitha ndeshjet është shumë e madhe. Humbje si ajo ndaj Meksikës me të cilën u mposhtëm vetëm në një takim miqësor nuk duhet ti pësojmë më. Duhet të bëjmë sa më shumë pikë në grupin tonë eliminator dhe nëse luajmë si ndaj Letonisë unë jam i bindur se do të arrimë vetëm rezultate pozitive në takimet e ardhshme”.
Momentalisht Holanda pozicionohet në vendin e tretë të Grupit A me 6 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjeve të para gjatë të cilave ka arritur të koleksionojë dy fitore dhe dy humbje.
KOHA JONË SONDAZH

