Shqipëria humbi një ndeshje, ëndrra vazhdon, në Elbasan fiton futbolli
Shqipëria ndëshkohet sërish, dhe historia në vend që të shkruhej ndryshe kthehet pas. Janë ndeshjet e fundit, ato më vendimtaret, që Kombëtarja e Shqipërisë, i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë të vështira që t’i fitojë. Janë edhe minutat e fundit të ndeshjeve, atëherë kur kërkohet qetësi dhe maturi, në të cilat kombëtarja jonë, nga eksperienca që nuk ka marrë pjesë asnjëherë në evident me rëndësi, vuan vazhdimisht. Dhe ashtu si me Portugalinë, në një ndeshje më parë kur u ndëshkuam në fund, edhe me Serbinë, ndodhi e njëjta gjë në “Elbasan Arena”. Shqipëria humb shansin historik për të prerë një biletë direkte në “Euro 2016” para se të mbyllej fushata e ndeshjeve kualifikuese, përballë një kundërshtari si Serbia, por megjithatë, ëndrra “Francë 2016” vazhdon. Mjafton një fitore ndaj Armenisë në ndeshjen e fundit. Zona “Play-off” tashmë është siguruar nga ana e kuqezinjve dhe është hera e parë që Shqipëria do të diskutojë pjesëmarrjen në një vend të tillë. Ndaj duhet t’i gëzohemi këtij fakti, pavarësisht se asnjë shqiptari nuk i pëlqeu humbja 0-2, me Serbinë.
Shanset
Portugalia fitoi ndaj Danimarkës 1-0 në Bragë, me gol të Moutinho në 67’ dhe është skuadra e parë e Grupit I që pret një biletë në finalet e “Francë 2016”. Portugalia ka edhe një ndeshje në fund me Serbinë në Beodrad, por do të luajë për statistika. Goli i Portugalisë u prit me ovacione në “Elbasan Arena”, kur rezultati i ndeshjes së kuqezinjve me serbët ishte 0-0. Në ato momente Shqipëria kishte po aq pikë sa Danimarka dhe ndante me të vendin e dytë. Por edhe kuqezinjtë e humbën përballjen me serbët, 0-2, dhe mbeten një pikë pas Danimarkës së vendit të dytë. Tani duhet të presin ndeshjen e fundit. Danimarka e mbylli fushatën kualifikuese dhe shpreson që Shqipëria të mos fitojë në Jerevan të Estonisë, pasi në një rast të tillë kuqezinjtë ngjiten në vend të dytë dhe presin biletën direkte në “Francë 2016”.
Ndeshja
Atmosferë elektrizuese në “Elbasan Arena” nga tifozët kuqezi dhe pamje që nuk kishin asnjë lidhje me ato që dhuroi Beogradi, më 14 tetor 2014. Kuqezinjtë e De Biazit e nisin mjaft mirë sfidën duke ushtruar presion, në minutat e para. Me kalimin e minutave ritmi i ndeshjes bie disi. Në 37’serbët gjejnë golin, teksa Mitroviç depërton bukur brenda zonës duke lënë mbrapa Canën, pason në qendër dhe pas një rrëmuje Lajiç e shtyn në rrjetë, por arbitri ndal lojën për faull ndaj Berishës. Ka tension dhe protesta nga pala serbe. Në shifrat e bardha 0-0 mbyllet pjesa e parë. Kuqezinjtë e De Biasit kërkojnë golin në pjesën e dytë, teksa vendin e Andi Lilës së dëmtuar e zë Ergys Kaçe. Në 55’, zëvendësim te Serbia, teksa largohet Tadiç dhe i lë vendin lojtarit me origjinë shqiptare Sulejmani. Rasti më i mirë për Shqipërinë vjen në 60’, kur Agolli kroson dhe gjen të lirë në zonë Xhakën, i cili godet dhe topi devijohet duke kaluar pranë shtyllës pingule. De Biasi freskon sulmin dhe aktivizon Cikalleshin në vend të Balajt. Ishte pikërisht Cikalleshi që në zonë ka rastin më të mirë për gol, por goditja e tij grushtohet nga portieri Stojkoviç. Shqipëria kërkon golin në 15 minutat e fundit dhe pas një topi të krosuar në zonë, kapiteni Cana kërcen me kokë, duke mos shënjestruar portën. Por nuk ishte e thënë që atmosfera festive që përgatitën tifozët të mbyllej e tillë. Pas një goditje kërcënuese të Kolaravov në minutat e fundit, Serbia shënon atëherë kur nuk pritej në 90’. I njëjti lojtar gjen rrugën e rrjetës pas një kundërsulmi duke mposhtur Berishën. Në minutat shtesë kuqezinjtë tentojnë të marrin të paktën barazimin që e kishin në duar dhe hidhen të tërë në sulm, por vjen edhe ndëshkimi i dytë me autor Ljajiç në minutën e fundit shtesë që shkëputet dhe mbyll 90 minutat e ndeshjes në favor të skuadrës së tij. 0-2.
Shqipëria humbi një ndeshje, por në Elbasan fitoi futbolli
Rreth 50 tifozët serbë (studentë) ishin të pranishëm në “Elbasan Arena”. Para ndeshjes ata bënin me duar simbolin e zemrës, në shenjë paqeje. Nga ana tjetër atmosfera që dhuruan tifozët kuqezi, pavarësisht se disa prej tyre fishkëllyen ekipin serb kur u fut në stadium apo kur i këndua himni i tyre, nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet e Beogradit. Më 14 tetor 2014, tifozët serbë në sytë e tërë botës krijuan një atmosferë armiqësore dhe nga incidentet e shënuara, ndeshja u ndërpre në 41’, kur rezultati ishte 0-0. Shqipëria humbi çuditërisht në komisionet e UEFA-s me rezultatin 3-0, me pretekstin se braktisi fushën, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës vendosi përfundimisht që t’ia jepte fitoren në tavolinë ekipit tonë dhe po ashtu edhe shansin historik për kualifikimin në një event si finalet e Europianit. Pikërisht, për hir të këtij shansi dhe për të mos përsëritur ngjarjet e pakëndshme të Beogradit, qoftë nga autoritetet vendase apo edhe nga ndërgjegjësimi i tifozëve tanë, gjithçka shkoi qetë dhe pa probleme në 90 minutat e “Elbasan Arena”. Përveç rezultati dhe humbjes 2-0 në fund. Ishte kjo humbje që dëshpëroi tifozët dhe i la ata pa fjalë pasi ishin përgatitur për festën e madhe. Gjithsesi, humbi Shqipëria, fitoi futbolli. Organizimi perfekt i takimit, ndryshe nga ndeshja e parë, ishte leksioni më i mirë që mund t’i jepnin botës. Shqipëria edhe pas humbjen mbetet në garë ndryshe nga Serbia.
Shqipëri-Serbi 0-2
Shënues: Kolarov 90’, Ljaiç 93’
Shqipëria : Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Cana, Agolli, Lenjani (Meha 82’), Lila (Kaçe 46’), Basha, Memushaj, Xhaka, Balaj (Cikalleshi 69’). Trajner: Gianni de Biasi
Serbia: Stojkoviç, Tomoviç, Ivanoviç (Tosiç 65’), S.Mitroviç, Kolarov, Tosiç, Milivojeviç, Matiç (Fejsa 73’), A.Mitroviç, Tadiç (Sulejmani 54’, Ljajiç. Trajner:
Gjyqtarë: Nikola Ricoli, Elenito di Liberatore, Mauro Tonolini (Itali)
Kartonë të verdhë: Cana, Agolli/ Milivojeviç, Tomoviç
Grupi I – Dje
Shqipëri-Serbi 0-2
Kolarov 90’, Ljajiç 93’
Portugali-Danimarkë 1-0
Moutinho 67’
Ndeshjet e fundit – 11 tetor
18:00 Armeni – Shqipëri
18:00 Serbi – Portugali
Klasifikimi N Gv P
Portugalia 7 5 18
Danimarka 8 3 12
Shqipëria 7 2 11
Serbia 7 -4 4
Armenia 7 -6 2
EURO 2016
Kualifikueset/ Sot
Grupi D
Gjeorgji –Gjibraltar 4-0
Irlandë-Gjermani 1-1
Skoci-Poloni 2-2
Grupi F
Hungari-I. Faroe 2-1
I.Veriut-Greqi 3-1
Rumani-Finlandë 1-1
9 tetor
Grupi C
20:45 Maqedoni – Ukrainë
20:45 Sllovaki –Bjellorusi
20:45 Spanjë – Luksemburg
Grupi E
20:45 Angli -Estoni
20:45 Slloveni – Lituani
20:45 Zvicër – San Marino
Grupi G
20:45 Liechtenstein – Suedi
20:45 Moldavi – Rusi
20:45 Mali i Zi – Austri
KOHA JONË SONDAZH

