Si do të funksionojë Superliga Europiane, detajet dhe rregullorja
Në kohën kur krijimi i Superligës ka krijuar një tërmet mediatik, reagime nga më të ndryshmet, është momenti të kuptohen edhe formati e rregullorja e turneut, data e startit të të cilit mbetet ende mister. Superliga është eventi i ri evropian, ndërmjet 20 skuadrave më të mira në kontinent. Aty do të luajnë 15 klubet themelues, si pjesëmarrës të përhershëm dhe 5 klube që kualifikohen në çdo sezon.
Skuadrat do të ndahen në dy grupe me nga dhjetë. Në fazën e parë, secila do të luajë ndeshje me sistem vajtje-ardhje. Përballjet ndërmjet skuadrave dhe lojtarëve më të mirë do të jenë një risi absolute. Nga faza e parë kualifikohen 4 skuadra nga secili grup. 8 ekipet do të luajnë sfida direkte me eliminim, ku gjatë katër javëve do të shpallet fituesi i turneut.
Ndeshjet e Superligës do të luhen në mesjavë dhe të gjitha skuadrat pjesëmarrëse do të vijojnë të luajnë në kampionatet respektive. Pagesat e solidaritetit do të rriten, ndërsa rriten edhe të ardhurat nga turneu. Fondet pritet të tejkalojnë vlerën e 10 miliardë eurove gjatë viteve të para të projektit. Pagesat e reja të solidaritetit do të bëhen nëpërmjet një procesi të ri, që do të jetë transparent dhe publik. Misteri më i madh rreth turneut lidhet me sezonin kur do të nisë. Duke vlerësuar organizimin dhe luftën me FIFA-n, UEFA-n e federatat, duket e vështirë të startojë përpara sezonit 2022-2023.
KOHA JONË SONDAZH

