Skënderbeu merr Partizanin “me shuplaka”, ngjitet në krye, ndalet Kukësi
Mbyllet e java e 31-të e Kategorisë Superiore, me rezultate surprizë sa i përket ndeshjeve të fundit mes ekipeve pretendente. Kjo javë ndihmoi Tiranën të forcojë pozitat e saj si pretendente për titull, por më tepër sa bardheblutë ndihmoi katër herë radhazi kampionët që të nisin marshimin në pesë ndeshjet e mbetura, si favoritë kryesorë, pasi rikthehen në krye të garës.
Skënderbeu-Partizani 5-2
Ndodh e pabesueshmja. Mbrojtja më e mirë e kampionatit kapitullin në Korçë përballë Skënderbeut, dhe po ashtu Partizani, që zbeh shanset për titullin kampion. Në garën për titull, Skënderbeu fitoi sot 5-2 në Korçë, pas një ndeshje dhe fitoreje spektakolare, të cilën e vuri në diskutim vetëm në pushim të pjesës së parë. Skënderbeu tregoi se mbetet një pretendente serioze dhe nuk i vuan dëmtimet as në një ndeshje të rëndësishme duke e bërë Partizanin të shfaqet gati in-ekzistent në fushë. Gjatë këtij 90 minutëshi vetëm serbi Raçiç, që shënoi një dy-golësh, mund të konsiderohet përpjekja e vetme e të kuqve për të mos u pajtuar me humbjen. Ndeshja në Korçë nisi me një përkujtim nga ana e lojtarëve të Partizanit për tifozin e tyre që humbi jetën pak ditë më parë. Pas fillimit të lojës, në ’18, Sabien Lilaj me një goditje fantastike nga 30 metra i dha epërsinë korçarëve falë dhe një pakujdesie të portierit Alban Hoxha. Skënderbeu shtoi ritmin dhe në të 26-të, u desh një tjetër ndërhyrje e Hoxhës në dy kohë për të ndalur Stojkov. Gjithsesi portieri i të kuqve nuk mund të bënte asgjë në të ‘38n, kur Liridon Latifi shënoi golin e dytë. Spektakli i pjesës së parë nuk kishte përfunduar, pasi pak para pushimit Raçiç me kokë rihapi ndeshjen. Me fillimin e pjesës së dytë Bernard Berisha shënoi golin e tretë, duke korrigjuar gabimin fillestar të Martins. Në ’54 nis kapitullimi i të kuqve. Stojkov realizon golin e radhës. Për Partizanin mendon sërish sulmuesi Raçiç, i cili në ’59 i dha sërish shpresë Partizanit, 4-2. Por kryeqytetasit nuk kanë kohë për të shpresuar, sepse në ’64 Radas i dha një “shuplakë” të kuqve duke e mbyllur ndeshjen, 5-2. Partizani mbetet me 10 lojtarë më tej, pas daljes me karton të kuq të sulmuesit Vila, i cili humbet dhe përballjen e javës së ardhshme me Kukësin.
Kukësi-Laçi 0-0
Nga rivalët, kryesuesit e Kukësit gabuan brenda në shtëpi. Pengesë u bë sërish Laçi, që ka ndaluar të gjithë ekipet rivale për titull gjatë këtij sezoni. Një javë më parë në Laç kurbinasit mundën Skënderbeun, dhe më herët në fushën e tyre kishin mundur edhe Kukësin dhe Tiranën. Laçi kthehet në një bllokadë edhe për Kukësin, në transfertë. Ndeshja e zhvilluar në “Zeqir Ymeri” në kuadër të javë së 31- të Kategorisë Superiore i ka dhënë të drejtë djemve të Armando Cungut. Në fillim në këmbët e laçianëve ka rënë Partizani, më tej Tirana dhe tashmë Skënderbeu e Kukësi. Megjithatë, Laçi akuzohet se po i ndal rivalët e tjerë të Partizanit, për llogari të të kuqve. Humbja e djeshme e Partizanit, megjithatë, tregon se Laçi me lojën e tij, thjesht e ka bërë më interesant garën dhe se e meriton pozicionin në klasifikim. Trajneri i Kukësit, Shaqiri aktivizoi këta lojtarë: Stajila, Smajli, Dushku, Malota, Hallaçi, Hasani, Xheferson, Lushtaku, Hoxha, Zeqiri, Pejiç; Nga ana tjetër Armendo Cungu u përgjigj me këtë formacion: Moçka, Teqja, Buljan, Sheta,Sefgjinaj, Meto, Veliaj, Mustafa, Nimani, Xhejms, Mitraj; Kjo ndeshje u gjykua nga kryesori, Bardhyl Pashaji.
Tirana, e treta
Tirana, ndonëse me vështirësi ndaj Vllazisë, arriti të fitonte të djelën në “Qemal Stafa” 2-1 me dy gola të Muçës për të marrë tre pikë dhe për të nisur marshimin e drejtit titullit të 25-të kampion. Bardheblutë janë ngjitur tashmë në vend të tretë, duke përfituar nga humbja e djeshme e Partizanit. Por ata ishin më të interesuar që dy ndeshjet e tjera, të përfundonin në barazim. Kjo sepse katër herë kampionët radhazi të Shqipërisë me fitoren e djeshme 5-2 ndaj të kuqve, janë ngjitur në krye dhe mund të quhen favoritë për trofeun e pestë radhazi. E nëse Kukësi me Laçin e mbyllën ndeshjen sipas dëshirës së Tiranës, nuk ndodhi e njëjta gjë në Korçë.
Kategoria Superiore
Java e 31-të/ Të djelën
Apolonia-Flamurtari 2-1
Teuta-Elbasani 1-0
Tirana-Vllaznia 2-1
Sot
Kukësi-Laçi 0-0
Skënderbeu-Partizani 5-2
Klasifikimi:
Skënderbeu 63
Kukësi 62
Tirana 60
Partizani 59
Laçi 54
Flamurtari 34
Vllaznia 33
Teuta 26
Apolonia 19
Elbasani 13
Skënderbeu-Partizani 5-2
Shnëues: Lilaj 12’, Latifi 38’, Berisha 46’, Stojkov 53, Radas 65’/ Raçiç 45’, 58′
Skënderbeu: Shehi, Radas, Osmani, Jashanica, Arapi, Shkëmbi, Lilaj, Latifi, Berisha, Martins, Stojkov; Trajner: Mirel Josa
Partizani: Hoxha, Ibrahimi (Fazliu 57’), Rrahmani, Cuculi, Trashi, Batha (Daja 77’), Fejzullahu, Nexhipi, Vila, Mazrekaj, Raçiç; Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtar: Enea Jorgji
Kartonë të verdhë: Fejzullahu, Trashi/ Berisha, Radas, Arapi
Karton i kuq: Vila 89’
Mirel Josa
“ Të fitosh edhe me mungesa ndaj një rivali, vlera për titull ”
Fitorja e bujshme 5-2 dhe rikthimi në vend të parë në klasifikim në Kategorinë Superiore nuk ka se si të mos i shijojë Mirel Josës, që vlerësoi suksesin e të tijve dhe mbi të gjitha lojën e shprehur prej formacionit të tij. “E tëra skuadra vrapoi mirë, të gjitha repartet ishin pranë njëri-tjetrit dhe nuk krijuan hapësira ekipit të Partizanit. E kisha theksuar se nuk duhet t’i mendojmë mungesat pasi i tillë është kampionati. Goli i tretë ishte shumë i rëndësishëm për ne, sepse na dha shumë përparësi,” – u shpreh Josa. Kjo fitore ka bërë që të besojnë sërish tifozët në Korçë se titulli i pestë radhazi kampion, është më afër se kurrë. Presidenti Ardian Takaj nuk e fshehu gëzimin, duke premtuar shpërblim pas fitores.
Partizani nuk dorëzohet
Shpëtim Duro: Fitojmë me Kukësin dhe kthehemi në valle
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, theksoi e humbja me Skënderbeun lë shije të hidhur mbi të gjitha për mënyrën se si u pësuan golat, që ai i cilësoi amatoreske. – “Gabime elementare te golat, megjithëse hymë në lojë, por pa filluar pjesa e dyte u ndëshkuam me dy gola. Kjo e vështirësoi punën tonë për vazhdimësinë e lojës. Kemi bërë gabime amatoreske”. Për trajnerin e të kuqve çështja titull nuk është ende e mbyllur, pasi dhe kalendari i Skënderbeut nuk do të jetë i thjeshtë. – “Nuk jemi jashtë gare, sepse nëse fitojmë ndeshjen tjetër me Kukësin jemi ende në valle. Skënderbeu nuk do të ketë një kalendar të lehtë” – theksoi ai.
Trajneri i Kukësit
Shaqiri fajëson ekipin e tij dhe gjyqtarin, për barazimin
Kukësi la dy pikë shumë të rëndësishme në objektivin për titull, përballë skuadrës ndaj së cilës ka mbyllur llogaritë për këtë sezon pa i kthyer dot as reston e humbjes së një faze më parë. Kësisoj, Kuëksi nuk e pret edhe me aq me qetësi as ndeshjen e kthimit në kupë ndaj Skënderbeut. Në përfundim të sfidës së kampionatit me Laçin që u mbyll pa gola, trajneri i verilindorëve Artim Shaqiri e pranoi se dy faktorët kryesorë që ndikuan në rezultat ishin pasaktësia e futbollistëve të tij përpara portës dhe disa jo vendime jo shumë të drejta të kryesorit Bardhyl Pashaj. Ai pretendoi për një penallti të pa-dhënë ndaj skuadrës së tij në rastin e ndërhyrjes së Olsi Teqjas ndaj Yll Hoxhës. – “Jo nuk është e vërtetë që skuadra dha sinjale që nuk është e gatshme. Por ky është futbolli, kur trepikëshin e çdo kush nuk e arrin qëllimin. Ndaj Laçit sulmuam për 95 minuta por nuk patëm saktësinë e duhur në finalizim. Nuk dua të flas për arbitrin, por disa vendime të tij ishin jo në favorin tonë,” – theksoi Shaqiri.
Befasia e Laçit
Trajneri Cungu i emocionuar, pas duartrokitjeve në Kukës
Armando Cungu udhëhoqi Kukësin me sukses deri në turin e 4-t të Europa League në vitin 2013 kur ishte në drejtimin e verilindorëve. Ai rikthehet si trajner i Laçit dhe i mohon Kukësit ndoshta fitoren, që do t’i prishë shumë në garë për titullin kampion. Trajneri shkodran i Laçit u mirëprit nga tifozët e Kukësit, pavarësisht se tani drejton një ekip tjetër dhe theksoi se gjithmonë do të ketë një respekt të madh për tifozerinë kuksiane dhe për klubin e Kukësit. – “Unë nuk jam nisur për t’i prishur punë asnjë ekipi aq më tepër Kukësit. Kam pasur gjithmonë respekt për këtë ekip dhe për këtë qytet i falënderoj me gjithë zemër tifozët e Kukësit, por ky është futbolli sot. Je pjesë e një skuadre nesër mund të jesh pjesë e një tjetre”. Laçi edhe pse vinte në këtë sfidë me 5 mungesa të rëndësishme, mori një pikë të çmuar. Por skuadra e Armando Cungut i ka dhënë një mesazh Tiranës, për ndeshjen e kthimit të kupës, se nuk do ta ketë edhe aq të lehtë kualifikimin.
KOHA JONË SONDAZH

