Skënderbeu ndal Partizanin, Teuta fiton me “Poker” dhe merr kreun
Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në Korçë ndaj Skënderbeut, duke dorëzuar sërish vendin e parë të renditjes te Teuta, e cila ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Bylisit në “Niko Dovana”.
Sfida u zhbllokua në minutën e 44-t, teksa pas një aksioni mjaft të bukur të të kuqve, Jasir Asani shërbeu saktë për Stenio Junior dhe braziliani ia doli ta dërgojë topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nisi më mirë për Skënderbeun, që gjeti golin e barazimit në rastin e parë të rrezikshëm të ndeshjes. Pas një goditjeje dënimi, Taipi çon një top të saktë në zonë, aty ku Mensah devijon lehtë me kokë dhe mposht portierin e Partizanit, duke rikthyer baraspeshën në fushën e lojës.
Tashmë komplikohet rruga drejt titullit kampion për Partizanin, që mesjavën e ardhshme do të luajë derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës dhe deri në fund e presin të tjera sfida të vështira si ajo ndaj Vllaznisë.
Teuta u rikthye te fitorja pas barazimit pa gola në Shkodër ndaj Vllaznisë, ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Bylisit në “Niko Dovana” dhe përfitoi maksimalisht nga ndalesa e Partizanit, për të marrë kryesimin.
Durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen, duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 15-të me anë të mesfushorit gjirokastrit Emiliano Aleksi, ndërsa ballshiotët kërcënuan me Ndrecën dhe Anthony Beji, por pa arritur të rikthejnë baraspeshën.
Në pjesën e dytë ishte mbrojtësi Marcelino Preka që devijoi në mënyrë të pafat një top në rrjetën e portës së tij, duke u dhënë avantazhin e dyfishtë durrsakëve, ndërsa më pas ishin Lorenco Vila dhe Dejvi Bregu që vulosën suksesin.
KOHA JONË SONDAZH

