Spalletti flet për kalimin e mundshëm te Juventusi: Nuk kam pasur ende …
Luciano Spalletti është rikthyer në qendër të vëmendjes pasi sipas mediave italiane, është shumë pranë marrjes së drejtimit të Juventusit, pas shkarkimit të Igor Tudor.
I pranishëm në një event në kinemanë “Anteo” të Milanos, ish-trajneri i kombëtares italiane u pyet për të ardhmen e tij: “Juventus? Pyetje e vështirë, sepse nuk kam pasur asnjë kontakt me klube italiane, por kam dëshirë të rikthehem,” tha Spalletti, duke lënë të hapur derën për një kthim në Serie A.
Trajneri 65-vjeçar shtoi se është i motivuar për të rikuperuar pas zhgënjimit me Italinë: “Kam ambicien të rregulloj atë që ndodhi së fundmi me kombëtaren. Po pres me qetësi se çfarë do të ndodhë.”
Spalletti foli edhe për Tudor, për të cilin pati vetëm fjalë vlerësimi: “Më është dukur njeri serioz, me vlera, dhe nga mënyra si drejton në stol duket një trajner me substancë. Më vjen keq për atë që po i ndodh, por kushdo që do ta zëvendësojë do të jetë me fat, sepse do të gjejë një skuadër të përgatitur mirë.”
Pavarësisht fjalëve të kujdesshme të Spallettit, sot pritet të zhvillohet takimi vendimtar me drejtuesit e Juventusit. Propozimi i parë i klubit është një kontratë deri në qershor, me rinovim automatik në rast kualifikimi në Champions League. Bardhezinjtë preferojnë një marrëveshje njëvjeçare, por Spalletti kërkon kontratë dyvjeçare, kërkesë që pritet të pranohet.
KOHA JONË SONDAZH

