Spalletti sot zyrtarizohet te Juventusi, ja si pritet të jetë formacioni i tij

Tashmë mungon vetëm firma, por bëhet fjalë për një formalitet: Luciano Spalletti është trajneri i ri i Juventusit. Trajneri toskan, që së fundmi drejtoi kombëtaren italiane, do të jetë mbrëmjen e sotme në tribunën e Allianz Stadium për të ndjekur sfidën ndaj Udineses, ndërsa nga nesër do të nisë zyrtarisht punën me ekipin e tij të ri.

Objektivi i parë është i qartë: të rikthejë Juventusin në zonën Champions dhe t’i japë identitet një skuadre që ka humbur drejtimin. Spalletti dhe “Zonja e Vjetër” kanë gjetur marrëveshjen deri në qershor 2026, me një klauzolë që parashikon rinovim automatik për dy vite të tjera në rast kualifikimi në Champions League. Trajneri do të përfitojë 3 milionë euro në sezon plus bonuse, me një rritje të lehtë në rast rinovimi.

Në mendjen e Spallettit puna ka filluar që tani. Juventusi i tij do të ndryshojë fytyrë, duke kaluar në mbrojtje me katër dhe sulm me tre, ku pikat e qëndrueshme do të jenë Yildiz dhe Conceiçao, me një mes Vlahovic ose David për të kompletuar repartin ofensiv (alternativë mbetet skema 4-2-3-1).

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Një nga prioritetet kryesore të teknikut do të jetë rikthimi në formë i Koopmeiners, një investim i madh që deri më tani nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Për të bindur Spallettin, drejtuesit e Juventusit nuk kanë pasur shumë vështirësi. Vetë trajneri kishte shprehur më herët admirimin për klubin bardhezi, duke thënë: “I lumtur kush e stërvit Juventusin.” Pasi dështoi me kombëtaren italiane, Spalletti e sheh këtë si rastin ideal për t’u rikthyer në majat e futbollit evropian.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?