SPECIALE/ Nga Suarez te Balotelli, 5 klauzolat më të çuditshme të futbollistëve
Transferimi i futbollistëve me emër në disa raste mund të kthehet dhe në problematike për ekipet për shkak të sjelljeve të tyre apo zakoneve që nuk përshtaten me ta. Gjithsesi gjithmonë ka një zgjidhje dhe më poshtë do ju paraqesim 5 klauzolat më të çuditshme që mund të keni dëgjuar në kontratat e futbollistëve.
Klauzola “anti-kafshim” e Luis Suarez
Barcelona nënshkroi me Luis Suarez në vitin 2014, pas Botërorit të Brazilit, ku uruguaiani ishte bërë protagonist negativ teksa kafshoi Giorgio Chiellinin gjatë ndeshjes mes Italisë dhe Uruguait. Kjo është arsyeja pse katalanasit donin të siguroheshin që incidente të tilla të mos ndodhin më. Sipas gazetës britanike “Daily Mirror”, në kontratën e tij kishte një klauzolë “anti-kafshim”. Nëse Suarez do të kafshonte sërish një futbollist ai do të duhej të kompensonte klubin katalanas nga xhepi i tij.
Klauzola për të mos udhëtuar në hapësirë e Stefan Schwarz
Sunderland transferoi Schwarz në vitin 1999, nga Valencia, dhe më pas zbuloi se një mik i lojtarit suedez kishte blerë një biletë për një fluturim në hapësirë për në vitin 2002. Kompania angleze donte të shmangte çdo mundësi që Schwarz të mos shkonte në atë fluturim, dhe për këtë arsye ai futi një klauzolë në kontratën e tij kundër udhëtimit në hapësirë.
Klauzola kundër këpucëve të kuqe të Rafael Va nder Vaart
Football Leaks ka zbuluar një nga klauzolat kontraktuale më kurioze të viteve të fundit. Kur ish-futbollisti i Real Madridit dhe Tottenhamit, Rafael van der Vaart nënshkroi për Betis në 2015, klubi andaluzian vendosi në kontratë që holandezi nuk mund të luante me këpucë të kuqe (të preferuarit e tij) për shkak të rivalitetit me Sevillan.
Klauzola kundër skandaleve (nga Milani) dhe kundër ndëshkimeve (Liverpooli) për Maro Balotellin
Kur “Super Mario” nënshkroi për Milanin, kuqezinjtë donin të siguroheshin që sulmuesi të sillej mirë brenda dhe jashtë fushave, duke vendosur një klauzolë kundër skandaleve. Modelet e flokëve të ekzagjeruara ishin të ndaluara, mesazhet jo të duhura dhe qëndrimet negative ishin disa nga kushtet e kuqezinjve. Në kohën e Liverpoolit ndërkohë sulmuesi italian do të duhej të paguante 1 milion paund gjobë nëse ndëshkohej 3 herë me karton të kuq brenda një sezoni për sjellje anti-sportive.
Klauzola e pagesës së Romeo Castelen
Holandezi Romeo Castelen parashikoi në kontratën e tij me rusët e Vollga Nishni se ai do të merrte pagën për çdo minutë të kaluar në fushë, dhe jo mujore (ose çdo vit) siç parashikohet zakonisht në kontratat e lojtarëve. /Rozalb Lika-Koha Jonë/