Stamboll, kuqezinjtë stërviten në Kompleksin e ekipeve turke
Pesë ditë grumbullim në Turqi, për të qenë gati për sfidën kualifikuese të 11 Qershorit në Izrael. Kombëtarja shqiptare nisi këtë të martë përgatitjet, ku për herë të parë trajneri Gianni De Biasi do të ketë në dispozicion grupin e plot të lojtarëve. Azdren Llullaku dhe Jahmir Hyka ishin paraqitur përpara pjesës tjetër të grupit në rezidencën kuqezi, në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Turqi.
Bëhet fjalë për një strukturë në të cilën qeveria dhe Federata turke kanë investuar 30 milionë dollarë, e cila është funksionale prej Korrikut të vitit 2014. Hoteli ka 87 dhoma, ndërsa korridori kryesor është ideuar në formën e një muzeu, ku shfaqen me fotografi të gjithë lojtarët, trajnerët dhe presidentët, mes të cilëve edhe Ali Sami Yen, djali i Sami Frashërit, që është edhe themeluesi i klubit legjendar, Galatasaray.
Në muzeun e legjendave shpalosen trofetë e ndryshëm të fituar, si edhe dhuratat që përfaqësueset turke kanë marrë nga skuadrat me të cilat kanë luajtur, raporton supersport. Gjithashtu, një kënd i veçantë i është dedikuar lojtarëve apo trajnerëve që kanë bërë historinë e futbollit turk, mes të cilëve Fatih Terim, Arda Turan dhe Emre Belezoglu.
Kushtet e kompleksit janë ideale, me katër fusha të mëdha dhe dy fusha të vogla me bar natyral. I ndërtuar vetëm 40 kilometra larg Sheshit Taksim në qendër të Stambollit, struktura multi-funksionale përfshinë edhe sallë fitness-i, pishinë të brendshme, por edhe ambiente për argëtimin e sportistëve, me bilardo, ping-pong. Kushte ideale për tu përgatitur dhe përqendruar vetëm te ndeshja, me synimin që Shqipëria do të marrë rezultat pozitiv në Izrael.
KOHA JONË SONDAZH

