Suedia shkarkon trajnerin Tomasson pas humbjes ndaj Kosovës
Humbja ndaj Kosovës ka qenë pika e fundit për trajnerin danez Jon Dahl Tomasson. Sipas asaj që raporton e përditshmja suedeze Aftonbladet, Federata Suedeze e Futbollit ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me përzgjedhësin e kombëtares pas një serie rezultatesh zhgënjyese.
Suedia ka arritur të mbledhë vetëm një pikë në katër ndeshjet e para të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026, duke u renditur në vendin e fundit të grupit, i cili aktualisht kryesohet nga Zvicra.
Tomasson mori drejtimin e kombëtares në mars të vitit 2024, pas një periudhe të suksesshme në futbollin klub, por në krye të Suedisë nuk arriti të ndryshojë ecurinë e skuadrës. Bilanci i tij numëron nëntë fitore në total, por rezultatet e fundit në kualifikuese kanë qenë vendimtare për shkarkimin.
Sipas raportimeve, lajmi për largimin e trajnerit është komunikuar lojtarëve nga Kim Källström, ish-mesfushor i njohur dhe aktualisht pjesë e stafit drejtues të federatës.
Për stolin e Suedisë janë përfolur disa emra të njohur, mes tyre Graham Potter, ish-trajner i Chelseat, si dhe legjendat suedeze Olof Mellberg dhe Peter Gerhardsson, i cili ka pasur sukses me kombëtaren femërore.
KOHA JONË SONDAZH

