Sulmuesit në “thatësirë” që nga muaji gusht, Tudor mendon për Vlahovic dhe një skemë të re
Në shtëpinë e Juventusit, vazhdon “vallja e sulmuesve”. David, Openda dhe Vlahovic po garojnë prej fillimit të sezonit për një vend në qendër të sulmit bardhezi, por rotacioni i trajnerit Tudor deri tani nuk ka dhënë as gola, as siguri.
Statistikat flasin qartë: goli i fundit i një qendërsulmuesi të Juves në Serie A daton më 31 gusht, në javën e dytë të kampionatit kundër Genoas, dhe mban firmën e Dusan Vlahovic. Një periudhë e gjatë “thatësire” që po detyron klubin dhe trajnerin të reflektojnë mbi hierarkitë në repartin ofensiv dhe mbi mundësinë e një ndryshimi taktik.
Pas një fillimi të vështirë dhe konkurrencës së fortë, forma e dobët e Jonathan David në ndeshjet e fundit i ka hapur rrugën një aktivizimit të Vlahovic në prag të një serie ndeshjesh të rëndësishme kundër Como, Real Madrid dhe Lazio.
Serbi, i forcuar nga goli i shënuar me kombëtaren dhe i etur për t’u rikthyer në qendër të projektit, mund të marrë sërish besimin e trajnerit për t’u bërë pika e referencës në sulm, pavarësisht situatës së tij kontraktuale, që mbetet një faktor i ndjeshëm.
Në përpjekje për të ringjallur skuadrën, Tudor po vlerëson idenë e një ndryshimi skeme taktike, duke kaluar nga aktuali 3-4-2-1 në një 3-4-1-2 më ofensiv.
Në këtë sistem, Yildiz do të vepronte si trekuartist, duke u vendosur mes linjave për të krijuar dhe shpërndarë topa për sulmuesit, ndërsa Openda mund të gjente më në fund hapësirën që i ka munguar deri tani për shkak të pozicionit të tij të paqartë në sistemin aktual.
KOHA JONË SONDAZH

