Superliga mbyll javën e 7-të/ Vora përmbys Elbasanin, Partizani fiton në Vlorë
Java e 7-të e Superligës shqiptare u mbyll këtë të diel me dy ndeshje plot emocione dhe tension. Fitueset e ditës ishin Vora dhe Partizani, që morën tri pikë të rëndësishme për objektivat respektive.
Vora përmbys Elbasanin në “Elbasan Arena”
Në një sfidë dramatike, Vora arriti të përmbysë Elbasanin me rezultatin 2-1. Kristi Qose kaloi vendasit në avantazh në minutën e 55-të, por reagimi i miqve ishte i menjëhershëm. Mirlind Daka barazoi shifrat, ndërsa Karrica përmbysi gjithçka, duke i dhënë vorakëve një fitore me shumë peshë.
Elbasani mbetet në vendin e katërt me 11 pikë, ndërsa Vora ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke zënë vendin e gjashtë. Pas ndeshjes nuk munguan tensionet në tribuna, ku disa tifozë vendas tentuan të kalonin kordonin e sigurisë për t’u përplasur me tifozët e miqve, por ndërhyrja e shpejtë e policisë shmangu përshkallëzimin e situatës.
Partizani rikthehet te fitorja në debutimin e Kërnajës
Në Vlorë, Partizani mori një fitore minimale, por shumë të vlefshme, ndaj Flamurtarit, me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 62-të, kur Lorenc Trashi devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë tri pikët “Demave të Kuq”.
Kjo fitore vjen në debutimin e trajnerit Oltijon Kërnaja në stolin e Partizanit, që e nis me këmbë të mbarë aventurën e tij. Në krahun tjetër, Flamurtari vazhdon krizën e rezultateve, kjo ishte humbja e pestë në kampionat, ndërsa vlonjatët mbeten e vetmja skuadër që nuk ka asnjë fitore këtë sezon. Trajneri italian Francesco Moireiro debutoi me disfatë.
Superliga po hyn tashmë në një fazë vendimtare, me diferenca të vogla në klasifikim dhe me disa skuadra që po ndihen gjithnjë e më shumë nën presionin e rezultateve.
KOHA JONË SONDAZH

