Tare arrin marrëveshjen me Milanin, si trajner preferon Max Allegrin

Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por takimi maratonë prej gati gjashtë orësh i zhvilluar të martën në Romë ndërmjet administratorit të deleguar të Milanit, Giorgio Furlani, dhe Igli Tares, ka shënuar një hap të rëndësishëm në rrugën drejt emërimit të drejtorit të ri sportiv të klubit kuqezi. Bisedimet mes palëve kanë qenë intensive dhe premtuese, ndonëse nuk janë finalizuar ende, dhe kërkohet të paktën edhe një takim tjetër për të arritur te “po”-ja përfundimtare.
Igli Tare, i cili ka qenë për më shumë se një dekadë në krye të merkatos së Lazios (2008–2023), është kandidati kryesor për këtë rol strategjik te Milani. Ish-sulmuesi shqiptar gëzon mbështetjen e plotë të Zlatan Ibrahimovic, që ka një rol kyç në strukturën aktuale të klubit, dhe vlerësohet për eksperiencën e madhe si në futbollin italian, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Gjatë takimit në Romë, janë diskutuar tema të rëndësishme si kompetencat që do të kishte drejtori i ri, strategjitë e merkatos, si dhe emri i trajnerit të ardhshëm – një çështje e nxehtë në “Casa Milan”, sidomos pasi e ardhmja e Sergio Conceiçao duket e pasigurt, edhe nëse Milani fiton Kupën e Italisë.
Për sa i përket stolit, Tare ka një emër të qartë: Massimiliano Allegri. Trajneri që ka drejtuar Milanin nga viti 2010 deri në janar 2014, me të cilin fitoi një kampionat dhe një Superkupë, shihet si zgjedhja ideale. Alternativat e tjera në listë janë Antonio Conte (Napoli), Roberto De Zerbi (Marseille) dhe Cesc Fabregas (Como). Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja që mund të përcaktojnë të ardhmen sportive të Milanit. /R.Lika-Koha Jonë/